Itali, 22 korrik 2014 – Megjithë vapën e fund korrikut dhe pushimet verore të gushtit në prag, këshilli bashkiak i Bitontos aprovoi binjakëzimin e Bashkisë (komunës) së Bitontos me Bashkinë e Durrësit.

Ky binjakëzim është iniciativë e biznesmenit durrsak Artur Bujari dhe e dy kryebashkiakëve, Vangjush Dakos dhe Mikele Abatikios (Michele Abbaticchio).

Këshilltatrët e Bitontos ishin të kënaqur me forcimin e lidhjeve ekonomike-kulturore dhe turistike, që do të sjellë ky binjakëzim, por ngulën këmbë për më shumë sqarime për përfitimet konkrete ekonomike, që do ketë Bitonto nga kjo marrëveshje.

Në mbledhje u vu në dukje fakti se përfitimet ekonomike për dy qytetet do të jenë të prekshme para vitit 2020, kur pritet që Durrësi dhe Bitonto të përfitojnë nga fondet komunitare të Brukselit.

Këshillarët që përfaqësojnë në Këshill opozitën e djathtë, Forza Italia, ngulën këmbë, që binjakëzimi të ketë rezultate konkrete jo thjesht piknike turistike në bregun tjetër të Adriatikut për Kryetarin e Bashkisë (komunës) së Bitontos.

Projekti gjithsesi u aprovua me shumicë votash, me përjashtim të këshilltarëve të Forza Italia-s, që abstenuan.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/