Këshilli Bashkiak i Durrësit ka votuar në mënyrë unanime bonusin e qirasë për 660 familjet e para që kanë aplikuar pranë bashkisë Durrësit, pas dëmtimit të banesave nga tërmeti i 26 nëntorit.
Këshilltarët bashkiakë gjatë mbledhjes emergjente të zhvilluar këtë të shtunë në orën 14:00, kishin në rend dite vetëm një pikë: miratimim e listës paraprake të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i qirasë.
Ndërkohë, vlera e pagesës së qirasë mujore do të jetë në varësi të madhësisë së familjes, tipit të banesës dhe nivelit të çmimit mesatar në treg.
Çdo familje që dëshiron të aplikojë prej këtej e në vijim për përfitimin e bonusit të qirasë, duhet të dorëzojë pranë bashkisë:
1) Vërtetimin nga njësia administrative/lagjja që banesa rezulton e pabanueshme;
2) Akt Konstatimin nga Instituti i Ndërtimit ku të përcaktohet si godinë e pabanueshme, ose për t’u prishur (dokument i disponueshëm pranë Bashkisë Durrës/njësisë administrative përkatëse);
3) Çertifikatën familjare, dhe
4) Të dhënat e llogarisë bankare.
Të gjithë qytetarët e interesuar janë të lutur të dorëzojnë dokumentacionin e sipërpërmendur dhe të plotësojnë formularin e aplikimit pranë Bashkisë.
Pas votimit, fjalën e ka marrë kryetari i përkohshëm i bashkisë Zhulien Varfaj, i cili sqaroi se të gjithë ata banorë të Durrësit, të cilët kanë pasur një banesë me qira dhe iu është dëmtuar nga tërmeti, nuk do të përfitojnë bonus nga shteti.





