Një prej projektvendimeve që miratoi Këshilli Bashkiak i Durrësit ishte nderimi me titullin “qytetar nderi” për fotoreporterin italian Luca Turi, i cili është një mik i vjetër i vendit tonë dhe veçanërisht i qytetit të Durresit. 2 javë më pare, gazetari italian promovoi librin e tij fotografik “La memoria del Vento” (Kujtesa e erës), 50 vjet të Shqipërisë në histori.

Drejtori i Arsim Kulturës, Adrian Gurra, tha se Luca Turi, është një nga fotografët që ka fiksuar me aparatin e tij dramën e eksodit të parë të shqiptarëve drejt Italisë, si një mik i shqiptarëve prej asaj kohe. Nderimi i bëhet me motivacionin “Për meritën e veçantë që si njëri prej atyre që e përjetuan në fatin e tyre tronditjen e ikjes masive te rinisë së pashpresë shqiptare në një kohë dilemash të mëdha, e ktheu këtë ngjarje në kujtesë historike në librin e tij, ku një brez i tërë do të shohë vetveten dhe ata që do te vijnë do të njohin të pabesueshmen”.

Të majtë e të djathtë kanë ngritur kartonin jeshil, kur bëhej fjalë për miratimin e këtij projektvendimi. Luca Turi ka deklaruar gjatë promovimit të librit të tij me fotografi në një prej trageteve që lidhin Durrësin me Barin, se tashmë ai është i angazhuar për të promovuar jashtë Shqipërisë të gjitha resurset dhe atë çka ofron Durrësi dhe vendi ynë.

Fotoreporteri i njohur italian, qytetar nderi i Durrësit, bashkëpunon me La Gazzeta del Mezzogiorno si dhe me Rai e Mediaset.

K.H.