Propozohet marrja në koncesion e përpunimit të plehrave, përdorimi i energjive alternative në linjën Durrës-Currila, ndriçimi i qendrës me panele diellore, krijimi i skedave mjedisore dhe të një komisioni permanent për çështjet mjedisore
Me iniciativën e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, Këshilli Bashkiak dhe Zyra e Transparencës Qytetare kanë organizuar një tryezë për mjedisin, e cila paraprin organizimin e një serie takimesh të zgjeruara me specialistë, ku do të diskutohen çështje që kanë të bëjnë me përcaktimin e rrugëve optimale për një përdorim sa më efektiv të fondeve publike në dispozicion të bashkisë, rritjen e nivelit të transparencës me publikun, si dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen lokale për buxhetin. Në tryezë morën pjesë të gjithë aktorët e interesuar në lidhje me këtë çështje të ndjeshme për qytetin e Durrësit.
Tryeza për mjedisin
Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti: “Diskutimi për buxhetin e viti 2012 me aktorët e interesuar jo pa qëllim nisi me tryezën për mjedisin. Mjedisin ne e konsiderojmë problem prioritar për sot e për të ardhmen. Një mjedis i qëndrueshëm, përbën bazën për një jetë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm. Një diskutim i tillë shtrohet ndoshta për herë të parë direkt nga vendimmarrësit e qytetit, duke i dhënë kuptim dhe shanse reale si diskutimit në vetvete, ashtu edhe pasqyrimit të rekomandimeve që dolën nga kjo tryeze direkt në procesin e rëndësishëm të votimit të Buxhetit 2012 në Këshill Bashiak pas disa javësh”. Nga ana tjetër kreu i Këshillit Bashkiak ka nënvizuar se “Këshilli Bashkiak Durrës synon që të bëhet jo vetëm promotor i debatit me aktorët realë mjedisorë në qytet, por të ofrojë mbështetje konkrete për ta, përmes dizenjimit të një programi “core-funding”, që do të stimulojë institutet kërkimore, biznesin mjedisor dhe të gjithë aktorët e interesuar në çështje të tilla si problemi i erozionit, energjia alternative, riciklimi i mbetjeve, etj. Kjo i jep për herë të parë një dimension konkret mbështetjes së nismave mjedisore në nivel të vendimmarrjes lokale”.
Politikat mjedisore
Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij Hamiti i ka kushtuar funksionit vendimmarrës, kontrollues dhe hartimit të politikave mjedisore. Duke iu referuar tryezës për mjedisin, kryetari i Këshillit Bashkiak ka deklaruar se “kjo tryezë synon ta forcoje jo vetëm funksionin vendimmarrës të Këshillit Bashkiak, por edhe atë kontrollues, përmes identifikimit të nevojave bashkëkohore, për hartimit e paketave mjedisore të cilat duhet të përcaktojnë standardet e vendimmarrjes mjedisore nga vendimmarrësit lokale. Aktorët mjedisorë janë në këtë kuptim një aset i çmuar i qytetit dhe mbështetja e tyre është një mbështetje për gjithë qytetin.” Duke iu referuar aspekteve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen dhe bashkëpunimin me grupet e interesit, Hamitit deklaroi se “Këshilli Bashkiak synon formimin e ndërveprimit midis vendimmarrësve lokalë, grupeve të interesit dhe publikut, i aplikuar ky në të gjitha fushat e mundshme. Ky ndërveprim është duke funksionuar dhe ka dhënë deri tani rezultate edhe me Zyrën e Transparencës Qytetare Durrës, e cila ka ditur të luajë një rol aktiv në këtë drejtim”.
Problemet e Durrësit
Më tej në tryezë janë evidentuar disa prej problemeve kryesore mjedisore për qytetin e Durrësit. Problemi themeltar është evidentuar ndërtimi i një lanfdilli, pasi fusha e mbetjeve urbane në Porto Romano të Durrësit prej 15 hektarësh ka dalë jashtë funksioni, si pasojë e derdhjes së qindra metra kub plehrash çdo ditë. Në lidhje me këtë çështje, drejtor i shërbimeve publike në Bashkinë e Durrësit, Besnik Kërtusha, ka deklaruar se për bashkinë e Durrësit ky është një problem i mbartur, por dhe në vijim situata do të jetë e njëjtë, për shkak se propozimi për rritje të tarifave për pastrimin nuk u miratua për vitin 2012. “Të gjithë qytetarët që nuk paguajnë tarifën e pastrimit, do t’u ndërpritet ky shërbim nga bashkia e Durrësit”. Është për t’u evidentuar fakti se aktualisht çdo ditë në fushën e mbetjeve derdhen rreth 400 metra kub plehra, dhe kjo fushë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më vend për grumbullimin e tyre. Problematike është paraqitur nga diskutantët dhe situata përsa i përket mungesës së riciklimit të mbetjeve urbane në Durrës, ndërsa vendgrumbullimi i plehrave konsiderohet pika më e nxehtë mjedisore, për shkak se plehrat digjen në natyre, duke shkaktuar re të mëdha toksike që përhapen në të gjithë qytetin.
Propozimet
Me interes në këtë tryezë mjedisore janë ndjekur tema të tilla që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e publikut në buxhetimin dhe informimin mjedisor, prezantimi i draft buxhetit 2012 për impaktin dhe çështjet mjedisore, grumbullimi, riciklimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane në Durrës, harta e rrezikut gjeologjik për zonën e Durrësit, karburantet alternative dhe aplikacionet në transportin urban, shfrytëzimi i klimës për energji në zonën e Durrësit, politikat mjedisore në nivel lokal dhe fushat aplikative etj. Nga diskutimet janë vjelë dhe propozimet më të rëndësishme që kanë konsistuar në drejtim të dhënies me koncesion të përpunimit të plehrave, në kushtet kur ka mbetje të riciklueshme (70% konsiderohen lëndë e parë për industrinë), gjë që do t’i shtonte dhe jetëgjatësinë landfillit të plehrave nga katër në njëzet vjet, po kështu është propozuar një projekt pilot për vënien në funksion të paneleve diellore të cilat mund të ndriçojnë qendrën e qytetit të Durrësit, propozim interesant ka qenë dhe ai mbi përdorimin e energjive alternative biodiezel, metan etj. Më konkretisht u propozua që në linjën e Currilave të vihet në funksion për herë të parë një linjë autobusësh me hidrogjen. Në lidhje me problematikën që ka të bëjë me erozionin evident të tokës në disa zona të qytetit të Durrësit, u kërkua që krijimi i një zyre të shërbimit gjeologjik në Bashkinë e Durrësit, zyrë e cila do të mbledhë të gjithë materialin studimor të deritanishëm dhe t’ia vërë në dispozicion përpunimin e tij specialistëve të fushës. Një ide interesante ishte ajo që të krijohenë skeda mjedisore që më pas të aprovohen dhe në Këshillin Bashkiak, në mënyrë që të monitorohet në mënyrë permanente situata mjedisore. Në bazë të këtyre skedave të sakta të jepen dhe financimet përkatëse për mbrojtjen e mjedisit nga erozioni, por jo vetëm. Në takim është kërkuar që tryeza aktuale për mjedisin të kthehet në formën e një komisioni “ad hock” ose forumi permanent për mjedisin. Në këtë forum parashikohet që të trajtohen jo vetëm problemet e plehrave dhe gjelbërimit me të cilat merret bashkia, por dhe me çështje të tjera të studimeve mjedisore, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë që kanë lidhje me mjedisin. Të gjitha propozimet e grupeve të interesit të bëra prezente në tryezë do t’i kalojnë për miratim Këshillit Bashkiak të Durrësit.