Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi këtë të martë i ka kërkuar ministrisë së Shëndetësisë që të marrë parasysh vaksinimin e përfaqësuesve të drejtësisë. Ibrahimi ka kërkuar përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ në listën prioritare për vaksinim. Numri total i personave që përfshihen në këtë grup arrin në 928.

Ibrahimi thekson se tashmë që është bërë vaksinimi i kategorive të rrezikuara nga Covid-19, duhet që vaksinimi të shtrihet edhe në radhët e organit që ai drejton.

Duke e konsideruar profesionin e prokurorit si një profesion me kontakte të shumta, Kreu i KLP thekson se vaksimi është i nevojshëm për të siguruar mbrojtjen e tyre nga Covid-19.

Ibrahimi kërkon nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë vaksinimin e jo vetëm të prokurorëve, por edhe të oficerëve të policisë gjyqësore dhe administratës së organit të akuzës.

“Gjykoj që është momenti i përshtatshëm për t’ju drejtuar me këtë kërkesë për përfshirjen e prokurorëve dhe stafit mbështetës të sistemit të prokurorisë në skemën e vaksinimit me përparësi.

Dua të sjell në vëmendjen tuaj se natyra e punës së prokurorisë është e tillë që dikton kontakt të vazhdueshëm e të afërt me një numër të lartë personazh në zyrat e prokurorisë, në gjykata, nhë terren, në institucionet ku vihen dënimet penale etj.

Kjo vlen si për prokurorët ashtu edhe për oficerët e policisë gjyqësore dhe për administratën. Për më tepër, puna e sistemit të prokurorisë nuk mund të ndërpritet apo të zhvillohet online në asnjë rrethanë. Në të vërtetë, puna nuk është ndërprerë plotësisht as në pikun e pandemisë”, thuhet në letrën e Ibrahimit.