Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë votoi të hënën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej nën dyshimet për korrupsion.

Në një mbledhje që zgjati mbi katër orë dhe me protestues nga opozita që kundërshtonin pranë ndërtesës së Kuvendit, gjashtë anëtarë të Këshillit, përfshirë një nga opozita, votuan për ta çuar në votim parlamentar imunitetin e Berishës të enjten.

Kuvendi pritet të votojë të enjten për t’ua mundësuar prokurorëve ta vendosin Berishën në arrest shtëpiak.

Në mbledhjen e së hënës, Berisha u përfaqësua nga avokatët e tij, pasi tha se nuk mund të pranonte “poshtërim publik të tillë të institucionit më të rëndësishëm të vendit”, por iu bashkua protestës e thirri vetë para Kryesisë së Kuvendit.

Berisha tha se protesta nuk lidhet me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e tij, por “me faktin se shumica ia ka mohuar opozitës të drejtën e saj për ngritjen e disa komisioneve hetimore”.