Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për shpalljen si “pasuri kulturore të paluajtshme” të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Krujës. Ky vendim, i miratuar pas propozimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bazohet në ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe synon mbrojtjen dhe ruajtjen e këtyre zonave të rëndësishme historike.

Sipas vendimit, zonifikimi i këtyre dy zonave arkeologjike është bërë në përputhje me Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), duke përfshirë hartën e zonifikimit dhe koordinatat përkatëse. Po ashtu, është miratuar plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, që do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Krujës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të merret me regjistrimin e këtij vendimi në përputhje me ligjin nr.111/2018 “Për kadastrën”, ndërsa Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të publikojë hartat e zonave arkeologjike në Gjeoportalin Kombëtar. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.