TIRANE- Qeveria ka vendosur dje nxjerrjen në shitje të pesë hidrocentraleve të tjerë. Bëhet fjalë për HECet me kapacitet të vogël Prishta 1 dhe Prishta 2, për HEC-et Bigas dhe Veleshnjë, si dhe për atë të Vëndreshit. Që të pestë hidrocentralet do të jepen në koncesion me formën "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim), ndërkohë që autoriteti i ngarkuar nga qeveria për mbikëqyrjen e proceseve do të jetë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Kësaj ministrie i kërkohet gjithashtu që në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve duhet të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të pellgjeve ujëmbledhës, të cilët përfshihen në skemën e shfrytëzimit të secilit prej tyre. Vetëm para pak ditësh qeveria përfundoi tenderin për shitjen e katër hidrocentraleve, të cilët u blenë nga shoqëria turke "Kurum", privatizimi që u konsiderua tërësisht korruptiv nga ana e opozitës, e cila pretendon se veprat janë shitur me gjysmën e vlerës së tyre reale.
Madje vetëm pak ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi depozitoi në Prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2. Sipas deputetit socialist, në të dyja shitjet e hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim. "Ne gjykojmë, nisur nga ndryshimi i çmimeve, se me shitjen e 4 HECeve u është shkaktuar interesave të shqiptarëve një dëm ekonomik rreth 100 ml euro. Këtë erdhëm t'i kërkojmë prokurorisë të hetojë, ndërsa shqiptarëve nesër do t'u shpjegojmë thjesht dhe qartë faktet edhe të vërtetën e arsyes së shitjes së 4 HEC-eve", ka thënë Shalsi.