Këshilli i Qarkut të Durrësit zhvilloi të premten një veprimtari jubilare me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Me këtë ngjarje të rëndësishme institucioni kishte organizuar një program të larmishëm, ku ndërthureshin kumtesat e historianëve dhe studiuesve durrsakë me një ekspozitë libri (mundësuar nga Biblioteka publike) e ku të pranishmit patën mundësi të njihen me titujt e shkruar ndër vite nga autorët durrsakë për qytetin e tyre.

Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Këshillit të Qarkut, Eglantina Begteshi, nënvizoi faktin se ndihej e privilegjuar që së bashku me të gjithë shqiptarët do të festonte këtë 28 nëntor 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. “Duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe në historinë e popullit tonë, ne kujtojmë e nderojmë ata që vunë mendjen, forcën dhe madje edhe jetën e tyre për shpalljen e pavarësisë. Ne përkujtojmë ata breza heroikë që u përpoqën për ta vendosur Shqipërinë në radhët e vendeve të nderuara, për t’i çelur  rrugën e zhvillimit e të përparimit”,- tha kryetarja e qarkut. 

Më pas Begteshi bëri një rezyme të të gjitha aktiviteteve që institucioni që ajo drejton ka organizuar përgjatë këtij viti në kuadër të përvjetorit të pavarësisë. Më pas historianët dhe studiuesit Hajredin Isufi, Sali Hidri, Merita Dollma dhe Halim Maloku përmes kumtesave të tyre u ndalën në momente të veçanta të historisë së qarkut të Durrësit dhe personaliteteve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen patriotike shqiptare.

Në kumtesën e tij për Dom Nikoll Kaçorrin, nënkryetarin e qeverisë së Vlorës, studiuesi Isufi u ndal në momentet kryesore të jetës së klerikut atdhetar, një nga figurat më të shquara në lëvizjen patriotike durrsake në 30 vitet e para të shekullit të kaluar.

Ndërsa historiani Sali Hidri nënvizi në kumtesën e tij rëndësinë që kanë pasur në vitet 1900-1939 shoqatat patritioke që ushtronin veprimtarinë e tyre në Durrës në atë periudhë, të tilla si “Vllaznia” dhe klubi “Bashkimi”, të cilat krahas ndihmesës që dhanë për shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në qytetin bregdetar kontribuan për shpërndarjen e librave shqip dhe hapjen e shkollave të para shqipe.

Interes të madh tek të pranishmit në veprimtarinë jubilare zgjoi intervista e mjekut të njohur të qytetit tonë dr. Ali Sula, e realizuar nga gazetari Gëzim Kabashi dhe operatori Tristan Sherifi. Duke u ndalur në situatën shëndetësore në atë kohë në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij, Sula nënvizoi se fëmijët e lindur në atë kohë regjistroheshin në gjendje civile 3 muaj pas lindjes, pasi vdekshmëria foshnjore ishte në shifra mjaft të larta dhe vetëm 3 muaj pas ardhjes në jetë fëmija mund të jepte garanci se do të jetonte. Intervista e dr. Sulës ishte shoqëruar me mjaft fotografi të vjetra të qytetit duke ringjallur sidomos tek të moshuarit që e kanë përjetuar atë kohë kujtime të shumta.

Ndërkohë surprizë për të gjithë të pranishmit ishte dëgjimi i regjistrimit të parë muzikor në disk të himnit kombëtar regjistruar në vitin 1923 nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Regjistrimi i parë i himnit është realizuar nga muzikanti dhe patrioti Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh Giusseppe Mauro.

Kontributi i atdhetarëve të qarkut të Durrësit për hapjen e shkollave të para shqipe erdhi përmes kumtesës së pedagoges së Universitetit të Tiranës, Merita Dollma. Dollma u ndal veçanërisht në veçantitë që paraqiste sistemi arsimor në rrethin e Krujës. Duket se shprehja popullore “Ëmbëlsira për në fund” vlejti edhe për fundin e ceremonisë së organizuar nga Këshilli i Qarkut.

Momenti më i veçantë dhe më prekës i këtij takimi ishte interpretimi mjaft i ndjerë i aktorit Mirush Kabashi, që ndërsa recitoi poezinë patriotike të klerikut Vinçens Prenushi “Amë e bi” përloti jo pak sytë e të pranishmëve. Në veprimtarinë jubilare morëm pjesë Prefekti i Qarkut të Durrësit Genc Alizoti, deputetët Osman Metalla, Ylli Lama, kryetari i Këshillit Bashkiak Indrit Hamiti si dhe përfaqësues të pushtetit lokal në nivel Qarku, drejtues institucionesh, historianë, studiues etj.