Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ashpër ndaj asaj që e përshkruan si mungesë e thellë transparence e llogaridhënieje e  Gjykatës Speciale, duke theksuar se kjo gjykatë nuk i përgjigjet institucioneve të Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së, as Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e as dhe Kryeministri Albin Kurti, nuk e kanë treguar as interesimin më të vogël për t’i vizituar e kjo, përshkruhet prej tij si një qasje diskriminuese. Ky organizëm kërkon nga Kuvendi i Kosovës amendimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për të siguruar një mekanizëm monitorimi efektiv, e jo të mbeten vetëm siç i quan ”deklarata mashtruese”.

”KMDLNj vazhdimisht ka këmbëngulur që Kuvendi i Kosovës, si themelues të mbajë një apo më shumë seanca ku do të kërkohej transparencë dhe llogaridhënie për trajtimin e pengjeve të Hagës e që në asnjë mënyrë nuk do të merrej si ndërhyrje në punën e kësaj Gjykate.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndarë në baza partiake dhe politike nuk e kanë bërë as përpjekjen më të vogël të luajnë rolin e të zgjedhurit të popullit dhe përmbushjen e mandatit detyrues për përfaqësim dhe mbrojtje të drejtave të njeriut përkatësisht të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Pengjet në Hagë janë vizituar nga deputetë të Kuvendit, nga Komisioni për të drejtat e njeriut i Kuvendit të, nga ministra, z.kryeministra dhe nga Kryetari i Kuvendit.

Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nuk e kanë treguar as interesimin më të vogël për t’i vizituar”, thuhet në deklaratë. Ish-drejtuesit e Kosovës, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbeten në Hagë ku akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur ndaj tyre.