Të gjesh një vend të lirë për të parkuar makinën në rrugët kryesore të Durrësit është gati-gati e pamundur.

Përveç automjeteve të rezidentëve apo personelit të institucioneve të ndryshme shpesh vendet e parkimit zihen nga mjete që qëndrojnë me javë apo muaj të tërë në po të njëjtin vend, të dëmtuara nga aksidentet, të braktisura apo të dala në shitje.

Shqetësimi u ngrit nga këshilltarja Flutura Kasa në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

“Nuk mund të shkosh dot në gjykatë se nuk ke ku lë makinën, ke një problem në bashki, s’ke ku lë makinën. Eshtë problem shqetësues, por për mua shumë më shqetësues është problemi që ngrita në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për makinat që kanë tabelën “Shitet” dhe pozicionohen me muaj të tërë në rrugë. Eshtë një treg makinash dhe duhet të shkojnë të gjitha atje. Bashkia e ka vënë tregun, nuk ka arsye për t’u zënë parkimet e njerëzve”,- thotë Kasa për “DurrësLajm”.

Problematika pranohet nga Policia Bashkiake, por deri më tani kësaj policie i mungon kuadri ligjor, që do mundësonte largimin nga rruga të këtyre mjeteve dhe njëkohësisht mungon një pikë bllokimi për mjetet e aksidentuara apo të braktisura. Zgjidhja e vetme mbetet gjobitja e drejtuesve të mjeteve.

Por sipas Kasës, në rast kundravajtjeje të Kodit Rrugor, Policia Bashkiake operon me standarte të dyfishta për ndëshkimin e shoferëve.

“Nuk ka drejtësi tek vendosja e gjobave. Ka policë që punojnë me standarte të dyfishta, këtë e njoh s’po i vë gjobë, këtë s’e njof dhe po ia vë gjobën në xham”.

Burime nga Policia Bashkiake e kundërshtojnë këtë pretendim me arsyetimin se vendosja e çdo gjobe bëhet konform ligjit, por efektivët nuk mund të jenë të kudondodhur sa herë që një qytetar parkon gabim.

Ndërtimi i parkimit publik me rreth 400 vende pritet të përfundojë përgjatë këtij viti, por ai s’do të jetë e vetmja zgjidhje për të zbutur problematikën e mungesës së parkimeve në rrugët kryesore të qytetit.

“Unë mendoj se zgjidhja më emergjente është ajo që ka hedh kryetarja e bashkisë për parkimet me një pagesë simbolike, sepse dihet niveli i pagave të qytetarëve”,- thotë Kasa.

Sipas Institutit të Statistikave, banorët e qarkut të Durrësit kishin numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë për vitin 2020, me 247 automjete për 1000 banorë.

M.B.