Banorët e qytetit të Kavajës ishin sot të trishtuar. Lajmi për ndarjen nga jeta të bashkëqytetarit të tyre që humbi jetën mëngjesin e sotëm në Spitalin Infektiv prej koronavirusit kishte prekur jo vetëm ata që e njihnin, por të gjithë.

Qyteti i vogël humbi sot një nga bijtë e tij, që u nda në mënyrë të parakohshme nga jeta prej virusit vdekjeprurës. 43-vjeçari është deri tani viktima me moshën më të re mes 4 personave që Covid-19 u ka marrë jetën në vendin tonë.

Dhimbja ishte e madhe edhe në rrjete sociale, ku të njohur e të panjohur shprehnin pikëllimin për ndarjen nga jeta të 43-vjeçarit dhe ngushëllonin familjen për humbjen e njeriut të dashur.

“Kshu do të mbajë mend gjithmonë…i qeshur , i gallatës dhe me plot qyfyre që kur ti i tregoje ne sna ndalonte e qeshura…por dije se sot na ke hidheru pa masë…lamtumire miku im dhe qofsh banor i xhehnetit”,- shkruan në rrjete sociale Koha e Kavajes.

43-vjeçari ishte kthyer në qytetin e lindjes në fillim të muajit mars dhe kishte planifikuar të kthehej në Itali disa ditë më pas, por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore pamundësoi rikthimin në vendin ku ai jetonte prej vitesh.

Në lagjen ku ai banonte të gjithë e kujtojnë si një njeri shumë të mirë dhe shpreheshin sot të tronditur prej vdekjes së parakohshme. Njëkohësisht frika ishte e pranishme tek shumë prej tyre, pasi kuptuan se virusi vdekjeprurës mund të prekë këdo, madje t’i marrë edhe jetën, edhe pse i ri në moshë dhe me shëndet të plotë.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Shëndetësisë e njoftoi kështu vdekjen e 43-vjeçarit nga koronavirusi:

“Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.

Pas rëndimit të gjendjen gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.

43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

43-vjeçari është viktima e katërt i prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”