Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur pak minuta më parë në Gjykatën e Apelit, kur pritet të jepet vendimi përfundimtar ndaj tij dhe Jaeld Çelës.

Në një moment, teksa filmonin Tahirin një prej operatorëve të mediave, po humbte ekuilibrin, ndërkohë që nuk ka munguar as edhe një koment i ish-ministrit, i cili thotë se kështu do e hanë të gjithë.

“Kështu e hanë të gjithë”, shprehet Tahiri me humor, që duket se nuk e ka thjesht me kameramanin, që po rrëzohej, por edhe me veten e tij, që u shndërrua nga ministri më i suksesshëm i Edi Ramës, në një të pandehur të drejtësisë, ndërsa ka mbajtur mbi shpatulla akuzat ndër më të rëndat për një zyrtar publik.

Rreth 6 muaj më parë Jaeld Cela dhe Tahiri u shpallën fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë që prokuroria kërkoi dënimin për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Për Saimir Tahirin dënimi i Shkallës së Parë u konvertua në 3.5 vite në shërbim prove, ndërsa Jaeld Çela u dënua me 5 vite burg.