Është ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta, pas një sëmundjeje të pashërueshme, operatori i njohur në Durrës, Tristan Sherifi.

Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Sherifi humbi jetën në moshën 55-vjeçare, duke lënë të pikëlluar bashkëshorten dhe 3 djemtë.

Një humbje e rëndë kjo për familjarët, miqtë, të njohurit, por edhe për median në Durrës, pasi Sherifi ishte mjaft i njohur në rrethet gazetareske.

Ndarja e papritur nga jeta e Sherifit ka prekur shumë nga kolegët dhe miqtë e tij.

“Keshtu te qeshur do të mbajmë mend”,- shkruan në një postim në rrjete sociale kolegu i tij Beniamin Çyçeku.

𝗛𝗼𝗺𝗮𝘇𝗵𝗲𝘁 𝗱𝗼 𝘁𝗲̈ 𝗺𝗯𝗮𝗵𝗲𝗻 𝗻𝗲𝘀𝗲̈𝗿 𝗻𝗲̈ 𝗼𝗿𝗲̈𝗻 𝟭𝟮:𝟬𝟬 – 𝟭𝟯:𝟬𝟬 𝗻𝗲̈ 𝗵𝗼𝗹𝗹𝗶𝗻 𝗸𝗿𝘆𝗲𝘀𝗼𝗿 𝘁𝗲̈ 𝗤𝗲𝗻𝗱𝗿𝗲̈𝘀 𝗞𝘂𝗹𝘁𝘂𝗿𝗼𝗿𝗲 “𝗔.𝗠𝗼𝗶𝘀𝗶𝘂”

I angazhuar në vitet 2000 si operator në televizionet e para private si Shijak TV dhe Teuta TV, Sherifi më pas iu dedikua realizimit të dokumentarëve për figura të njohura dhe personalitete të Durrësit, të nderuar me tituj nderi nga shoqata “Durrësi”.

Një tjetër angazhim i vazhdueshëm i tij ka qenë përkrah koreografit Gjergj Prevazi, në realizimin e edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern.  

Dashuria e Tristan Sherifit për profesionin dhe dëshira për t’i çuar deri në fund angazhimet e marra do ta shtynte muaj më parë të ndërmerrte një udhëtim të vështirë, pavarësisht se ishte i sëmurë.

“Operatori Tristan Sherifi, me një sakrificë të tejskajshme, bindi veten dhe na bindi dhe neve që duhen intervista e miqve të Gjergjit në veriun e Spanjës dhe bëri mbi 5000 km me makinën e tij mbushur me pajisjet për të realizuar xhirimet”,- rrëfeu gazetari Astrit Tahiri, në tetor të vitit të kaluar, gjatë ceremonisë së shfaqjes së një dokumentari me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, regjisorit dhe përkthyesit të njohur Gjergj Vlashi.