Flori Mumajesi, Getoar Selimi, Alban Skënderaj, Stine, Adrijan Gaxha, etj, janë disa nga këngëtarët më në zë shqiptarë pas viteve ’90. Këta artistë sollën një frymë të re në muzikën shqiptare duke i dhënë gjithashtu edhe një tjetër dimension showbiz-it shqiptar. Ndonëse ata vazhdojnë ende të mbizotërojnë në tregun muzikor shqiptar, duket se shumë shpejt do të kenë edhe pasardhësit e tyre. Këta këngëtarë të rinj kanë filluar të krijojnë muzikë të bukur dhe mbi të gjitha të kenë edhe shumë fansa e ndjekës në rrjetet sociale.

Alban Ramosaj

Alban Ramosaj nuk është një emër i rastësishëm në tregun muzikor shqiptar. Ai vjen nga një familje artistësh andaj dhe 20-vjeçari nuk mund të mos ishte një nga këngëtarët e rinj më në zë shqiptarë. Përpara se të bëhej i njohur për publikun shqiptar, ai këndonte në klubet e natës me motrën e tij Beatrix Ramosaj, por famën ia dha padyshim talent show, “The Voice of Albania”. Ramosaj garonte në skuadrën e Aurela Gaçes dhe arriti të shkonte afër finales së këtij spektakli. Pas “The Voice”, Ramosaj vijoi me projektet solo. Kënga e tij e parë me video është balada “Çkemi”, por kulmin e suksesit djaloshi simpatik e arriti me këngën “A më do”, e cila është konisderuar si një nga hitet e këtij viti. Ndërsa kënga e tij e fundit ‘Aurora’ konkurrente në “Kënga Magjike 2016”, u kthye virale në rrjetet sociale në momentin kur ajo u lançua.

Ylli Limani

22-vjeçari nga Prishtina u bë i njohur për publikun shqiptar nga edicioni i parë i talent show-t, “The Voice of Albania”. Limani arriti të kualifikohej deri në gjysmëfinalen e këtij programi, duke qenë nën udhëheqjen e kantautorit të mirënjohur shqiptar, Elton Deda. Por pa dashur të mos humbte kohë si dhe vëmendjen e publikut, Limani nuk nxitoi dhe krijoi këngën e tij të parë për “Top Fest 9”, “Shko”. Ai është krijues i disa këngëve si: “Najher”, “Lart mbi yje”, por hiti i tij numër një mbetet kënga e tij e fundit “Pritëm se po vi”. Yll Limani është përfolur gjithashtu edhe për një histori dashurie me këngëtaren shkupiane, Tuna.

Butrint Imeri

Djaloshi me origjinë nga Kosova, i cili jeton prej vitesh në Gjermani ra menjëherë në sy me bashkëpunimin me Dj Blunt dhe Real 1, “Ki me lyp”. I njohur për stilin unik dhe ekspresivitetin në lëvizje, Butrint Imeri ka filluar të kërcejë që në moshën 11-vjeçare në akademinë e kërcimit “Dance Energy”. Pas bashkëpunimit të parë me dyshen e suksesshme nga Kosova, Imeri ka vijuar me të tjera këngë , “Eja, Eja”, “Merre zemrën tem”, etj. I përfolur gjatë kësaj vere ishte edhe dueti i tij me këngëtaren seksi shqiptare, Eleni Foureira.

Mozzik

Ai është i ri në moshë, por aktualisht është një nga reperët më të përfolur të momentit. 21-vjeçari Gramoz Aliu është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Fillimisht u bë i njohur me bashkëpunimin me Encën në  këngën “Edhe Njo”, duke vijuar më pas më të tjera këngë e bashkëpunime të suksesshme si ai me Kidën, “Premtimet”, Xhensila Myrtezajin në këngën “Ama dorën”, si dhe me vëllanë e tij Getinjo me hitin, “Tony Montana”. Sukses të paparë Mozzik ka provuar me “Dhezu” dhe veçanërisht me projektin e fundit “Cocaina”, e cila ka afro 20 milion klikime në You Tube.

Marrë nga "revistawho.com"