29nëntor 2015 – Dy djemtë që shihni në foto janë personat e shpallur në kërkim si pjesë e grupit që kanë mbajtur peng Sulltan K, 21-vjeçarin, që policia pretendon se e kanë çliruar mbrëmjen e dy netëve më parë. F. Vala, 21- vjeçari i kërkuar, i cili është nën të njëjtën akuzë bashkë me vëllanë e tij, L, 20 vjeç, ka qenë aktiv në Façebook, rreth 3 orë para se policia të ndërhynte nga toka dhe nga ajri për të çliruar Sulltanin, i cili sipas policisë ishte mbajtur peng në një stan në Pult. F. Vala me vëllanë L. dhe dy kushërinjtë Pllumb dhe P.Dushku, njëri 35 vjeç dhe tjetri 20 vjeç, sipas policisë kanë përfituar nga shkëmbimi i zjarrit me policinë që kanë bërë pjesa tjetër që janë arrestuar nga policia dhe që janë Tomë dhe Lekë Shkepa, vëllezër me njëri-tjetrin si dhe Kolë Dushku, vëllai i Pllumb dhe P. Dushkut. Policia bën me dije se gjithçka ka nisur një javë më parë, kur djemtë e vënë nën akuzën e pengmarrjes së të njohurit të tyre, janë takuar me vëllezërit Sulltan dhe Avni K., ky i fundit është i moshës 29-vjeçare. Policia bën me dije se në fakt, pengmarrësit kanë kërkuar paratë e një sasie lënde narkotike që ishte shitur tek disa të njohur të Sulltanit dhe të Avniut, ndërsa këta kishin hyrë garant se paratë do t`iu vinin.

Droga ishte dhënë pa lekë në dorë, sasi që mendohet se kapte vlerën e po kësaj shume për të cilën është bërë edhe sherri mes të rinjve. Nga të dhënat e para të hetimit, saktësohet se lënda narkotike është nisur për jashtë vendi. Të njohurit e Sulltan K., i kanë kërkuar garancinë të riut, ndërsa ky i fundit më pas nuk ka patur ku t`i gjejë shumën e parave t`ua kthejë të zotëve të mallit. Djemtë mësohet se kanë futur në kurth edhe pengmarrësit ndërsa Avni K., ka lënë në duart e tyre Sulltanin dhe iu ka premtuar djemve që do të gjente paratë dhe do të vinte të merrte më pas vëllanë.

Policia bën me dije se pengu është liruar lehtësisht dhe se nuk kishte asnjë shenjë dhune, ndërsa Avni K, ka shkuar në polici dhe ka treguar se çfarë i kishte ndodhur me të njohurit e tij që i kishin mbajtur peng vëllanë. Policia saktëson hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa ende nuk bëhet me dije se si është bërë e mundur të lihet peng një person një javë e aq më tepër në duart e shtatë të tjerëve. Po ashtu policia nuk bën me dije se kush janë personat që e kanë marrë drogën dhe si është bërë e mundur të lëvizet jashtë vendi. Policia e Shtetit bëri të ditur dje se po punohet intensivisht për të shkruar tek trafikantët, ndërsa po punohet edhe për kapjen e katër të rinjve që tashmë janë në kërkim.  /shekulli/