Të vallëzosh me erën. Kështu mund të cilësohet aventura e dy të rinjve kurajozë, që mes furisë së stuhisë sfidojnë dallgët 2 metra të larta dhe të ftohtin e janarit.
Ersi Lilajn dhe Urim Bozaxhiun i takuam paraditen e së enjtes në plazhin e Durrësit, e nuk mund t’i linim të iknin pa i bërë personazhe të kronikës sonë. Ersi është ndër themeluesit e klubit “Kitesurf Albania”, ndërsa Urimi iu është bashkuar prej pak kohësh, por pasionin dhe adrenalinën që i pushton sapo dëgjojnë për mot me erë të çmendur në bregdet e kanë të njëjtë.
“Ne lutemi të na vijë ky lloj moti, jemi shumë me fat që kemi dhe vendin e duhur këtu, që mund ta ushtrojmë, pasi dhe rëra është shumë e përshtatshme, edhe era, edhe dallgët. Janë të gjitha perfekt. Nuk ta shpjegoj dot me fjalë adrenalinën. Unë kur jam aty nuk ekzistoj fare, asnjë lloj mendimi”,- thotë Lilaj për “DurrësLajm”.
“Dallgët janë mbi 2m. Kur e sheh dallgën që vjen para teje si egërsirë duhet të mendohesh mirë se çfarë duhet të bësh, të kërcesh, ta kalosh apo të kthehesh mbrapsht dhe t’i ikësh. Ne kemi guxim dhe i kalojmë”,- shton Urim Bozaxhiu.
Megjithëse është sport që kërkon përgatitje të lartë fizike për të përballuar erën dhe për të realizuar akrobacitë mbi dallgë, vitet e fundit të shumtë janë të rinjtë që e praktikojnë.
“Ne jemi disa anëtarë të klubit “Kitesurf Albania” që e kemi nisur bashkë dhe tani jemi shtuar goxha. Vitet e fundit janë më shumë anëtarët shqiptarë që po shtohen, por edhe të huaj ka pafund, sepse ata e njohin edhe më mirë këtë sport ekstrem”,– na tregon Ersi Lilaj.
E ndërsa mbi dallgë tregohen profesionistë të vërtetë, ka pasur edhe momente që kanë pësuar lëndime, por fatmirësisht pa pasoja.
Kitesurf është jo shumë i njohur si sport në vendin tonë, por kur djemtë ofrojnë spektakël në det, të shumtë janë ata që ndalen t’i shikojnë. Me njëri-tjetrin, ata kanë një urim të veçantë: Të marrtë era me vete, por jo shumë larg… bregut!
Videot e djemve të klubit “Kitesurf Albania” janë nga shumë treva të vendit tonë. Krahas promovimit të sporteve ekstreme, ata janë një pasaportë e bukur turistike e Shqipërisë.
Në erën e çmendur të radhës, ata do rendin sërish drejt bregdetit të Durrësit për të realizuar atë që dinë të bëjnë aq bukur, vallëzimin me erën.. .
M.B.





