11 gusht 2015 – Dy avionë charter me 195 azilkërkues shqiptarë do të mbërrijnë këtë javë nga Gjermania.
Lajmin për riatdhesimin e tyre e ka bërë të ditur ambasada gjermane në Tiranë, e cilia njofton se dy avionët do të mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë dhe të enjte.
Të mërkurën, më 12 gusht ora 15:50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli (Hessen) një avion charter me 70 shqiptarë të dëbuar.
Të enjten, më 13 gusht, ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë një tjetër avion charter me 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht.
Më tej në njoftimin e ambasadës gjermane theksohet se nuk ka azil ekonomik, dhe ata që do të kthehen do t’i mbulojnë vetë shpenzimet për kthim.
“Në Gjermani nuk ka azil ekonomik! Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





