Financimi i procesit të Rindërtimit në Durrës merr pjesën e “luanit” në buxhetin e hartuar nga bashkia për këtë vit.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kryetarja Emiriana Sako njoftoi rindërtimin në po të njëjtin vend të pallatit shumëkatësh Ushina, për të cilin do të shpenzohen rreth 500 milionë lekë të reja. Godina do të shembet me eksploziv dhe rindërtimi i saj do të nisë brenda këtij viti dhe parashikohet të përfundojë brenda 2 vitesh. 

“Rindërtimi i pallatit “Fakle”, pranë stadiumit kap vlerën 500 milionë lekë të reja. Për shembjen e godinës ne jemi në diskutim me IKMT-në dhe Forcat Xhenio dhe pritet që së shpejti, pasi të mbyllim marrëveshjen me të gjithë personat që preken nga shembja e kësaj godine me eksploziv, të nisë prishja e pallatit”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në bashki, Lorenc Facja.

Bashkia Durrës për vitet 2024-2027 ka planifikuar të financojë 14 objekte në kuadër të Procesit të Rindërtimit me një vlerë totale prej 2.36 miliard lekë. Ndërkohë gjatë vitit 2025 pritet të përfundojë riforcimi i 4 pallateve shumëkatëshe, proces i nisur që në vitin 2024, si dhe do të nisë ndërtimi i gjimnazit Manëz dhe shkollës 9-vjeçare Vadardh, që do të rindërtohen me fondet e bashkisë me një vlerë totale 650 milionë lekë. 8 pallate të riforcuara tashmë, do të pajisen me ashensorë të rinj, proces ky që është në tenderim e sipër. Në kuadër të procesit të Rindërtimit do të investohet edhe për godinat e qendrave shëndetësore dhe njësive administrative.  

“Kemi parashikuar rikonstruksion të godinave të 4 njësive administrative Sukth, Rrashbull, rajoni nr.1 dhe rajoni nr.4. Gjithashtu do të rindërtohen 2 godina të NJA Ishëm dhe Manëz. Përsa i përket godinave të QSH, në këtë buxhet kemi parashikuar ndërtimin e qendrës shëndetësore në fshatin Vadardh, të NJA-së Sukth”.

Përgjatë këtij viti pritet të nisë rikonstruksioni i Mauzoleumit të Dëshmorëve, projekt i cili kap vlerën 57,600,000 lekë dhe do të përfundojë në vitin 2026.

“Është një kërkesë e vazhdueshme e veteranevë dhe e komunitetit që jeton në atë zonë për rikonstruksionin e Mauzoleumit të Dëshmorëve. Ky projekt parashikon rikonstruksion të godinës dhe funksionalitetin e ambienteve ndihmëse të saj, gjithashtu dhe kthimin në një vend atraktiv për qytetarët të parkut të gjelbërt, që ndodhet aty.”

Në buxhetin e këtij viti, rikonstruksioni i rrugëve në qytet dhe njësitë administrative kap vlerën 85 milionë lekë.

“Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore parashikojnë një fond rreth 50 milionë lekë në NJA-të e qytetit të Durrësit dhe 35 milionë lekë është parashikuar për rrugët e NJA-ve në zonat rurale. Përfshihen të gjitha ato rrugë, në të cilat do të ndërhyjmë në kanalizime dhe rrjetin e ujërave të bardha. Ky investim është në vazhdën e investimeve që po kryen Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi në vitin 2024 nisi rikonstruksioni i 40 rrugëve në NJA-të e Durrësit”.

Buxheti i vitit 2025 kap vlerën rreth 5.4 miliardë lekë dhe është 21% më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.

M.B.