Vajzat e modës kujdesen gjithnjë që të gjejnë trendet e ngjyrave që pasqyrojnë vërtet shijen e verës.
Në përditshmëri apo në pushime, ngjyrat gjithnjë i japin gjallëri veshjeve të verës. Kombinimi me këpucët verore që kanë larmishmërinë e tyre, krijon baraspeshë midis rehatisë dhe klasit.
Ndoshta në Instagram mund të keni vënë re se disa ngjyra janë gjithnjë të pranishme. Gjithashtu, ato nuk përfshijnë gjithë veshjen, por thjesht rifreskojnë ato që keni duke i bërë pak më të sofistikuara.
Ne ju zbulojmë pesë ngjyrat që po dominojnë verën e këtij viti.
E kuqja e perëndimit
E kuqja që përmban portokallinë e thellë duket si perëndimi i diellit në një mbrëmje vere. Jo vetëm kaq, por kjo ngjyrë i shkon kujtdo, pa dallim.
E verdhë gjalpi
Ngjyra që tashmë ka përfshirë botën dhe në fakt, mënyrat si mund të kombinohet janë të panumërta. Që nga kostumet e deri te fundet e gjata, idetë nuk reshtin.
E bardhë
E bardha është një nga ngjyrat më të bukura të verës. Përveçse ofron gjithnjë një pamje të pastër, lëkura e nxirë bie edhe më shumë në sy. Copat e linosë duken më të shtrenjta me të, sidomos nëse përdorni aksesorë me ngjyrë ose në tone neutrale.
E kaltër
E kaltra e qiellit nuk duhet të mungojë në gardërobën e verës. Vajzat franceze i kanë bërë të famshme këmishat ‘oversize’ në këtë ngjyrë dhe shija e tyre nuk gabon.
E zezë
Shumë njerëz nuk e preferojnë të zezën gjatë verës, por këtë vit, kombinimet plotësisht të zeza po mbizotërojnë edhe gjatë ditës. Mos harroni të shtoni pak shkëlqim me aksesorë dhe bizhuteri.





