Fernando Villavicencio, kandidat për president në Ekuador, i njohur për gjuhën e ashpër kundër karteleve dhe korrupsionit u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një takimi elektoral në kryeqytet, në një kohë kur dhuna mes bandave gëlon në shtetin Amerikano Jugor.
Presidenti Guillermo Lasso konfirmoi vrasjen e Fernando Villavicencio dhe la të kuptohej se pas ngjarjes qëndronte krimi i organizuar. Vrasja e Villavicencio vjen më pak se dy javë nga zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit.
“Ju siguroj se ky krim nuk do të kalojë pa dënim”, tha Lasso në një deklaratë. “Krimi i organizuar ka shkuar larg, por ata do ta ndjejnë fuqinë e plotë të ligjit”.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Ekuador tha se autori i dyshuar vdiq si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa deri më tani, autoritetet kanë shoqëruar 6 persona.
Në fjalimin e tij të fundit përpara se të vritej, Villavicencio i premtoi tubuesve se do ta çrrënjoste korrupsionin dhe do t’i çonte pas hekurave “grabitësit” e shtetit.
Sipas asaj që shkruan Associated Press, përpara së vritej, Villavicencio pati deklaruar se kishte marrë disa kërcënime me jetë, përfshirë nga eksponentë të kartelit meksikan të Sinaloa, një prej disa grupeve ndërkombëtare kriminale që operojnë në Ekuador. Ai tha se fushata e tij paraqiste kërcënim për grupe të tilla.
“Këtu jam me fytyrë, nuk kam frikë prej tyre”, tha Villavicencio në një deklaratë duke përmendur bosin e arrestuar të krimit José Adolfo Macías alias “Fito.”
Villavicencio ishte një prej 8 kandidatëve për presidencialet, ndonëse jo kryesori. Ai ishte 59 vjeç dhe vinte si kandidat nga radhët e Lëvizjes të Ndërtojmë Ekuadorin.
Mbështetës të tij u shprehën se fushata e Villavicencio u kishte dhënë shpresë që vendi mund t’i mposhte bandat. “Ishim të kënaqur. Fernando madje dhe kërceu. Fjalët e tij të fundit ishin nëse dikush u bie në qaf njerëzve, ai po i bie në qafë familjes time”, tha një prej mbështetësve të tij duke iu referuar takimit elektoral pas së cilit u qëllua për vdekje.
Kushtetuta e Ekuadorit parashikon edhe masën e shpërndarjes së asamblesë gjatë një krize politike, por më pas është e nevojshme që të mbahen zgjedhje të reja si për asamblenë ashtu sikurse edhe për presidencën. Ekuadori është përballur me një seri trazirash politike gjatë viteve të fundit.
Nga të shtënat e mërkurës mbetën të plagosur të paktën 9 persona të tjerë, përfshirë oficerë policie dhe një kandidat për kongresin, në atë që ata e përshkruajtën si akt terrorist.
Vrasja solli reagimin e kandidatëve të tjerë për presidencën që kërkuan veprime, duke thënë se “kur ata prekin një prej nesh, na prekin të gjithëve”.
Villavicencio ishte i martuar dhe kishte 5 fëmijë.