Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë të premten se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, si dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten vonë se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato lëvizje si “provokime të qëllimshme”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), KFOR-i tha se, pas tensioneve të fundit, rreth 1.000 trupa shtesë të misionit javë zhvendosur në Kosovë dhe se praninë e kësaj force në veri të Kosovës është rritur.

“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i.

“Qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”, shtoi ai.
Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.

Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.