Ekskluzive e “Dyrrah”-ut/ Pohime dhe dëshmi të bujshme, zbulohet kështu operacioni i madh i dezinformimit për “sherrin” Moskë-Tiranë-Pekin. A e ka falsifikuar komunizmi “vdekjen” e tij më 1991?

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 16 qershor 2013 – Komunizmi në vitin 1991 nuk “vdiq” sikurse besuan të gjithë (sikurse u thanë të gjithëve të besonin). Rikthimi i komunizmit (ndonëse dhe me emra të tjerë nga më të ndryshmit) kërkon shpjegime. Operacioni afatgjatë i dezinformimit i vitit 1959 parashikonte që do të “vdiste” dhe do të ringjallej komunizmi në Moskë, Tiranë. Partitë komuniste të vërteta do të fshiheshin prapa forcave politike “demokratike” dhe të djathta. “Koha e veçantë” nxjerr në plan të parë të djathtën, kurse partitë komuniste ruse dhe ato shqiptare janë thjesht “kontorno” të pluralizmit dhe pa peshë reale.

Rikthimi

Sipas studiuesit amerikan Xhejzon Meknju [Jason Mcnew] “rikthimi i komunizmit (ndonëse dhe me emra të tjerë të larmishëm) kërkon shpjegime. Është e qartë se komunizmi në vitin 1991 gjithsesi nuk “vdiq” sikurse besuan të gjithë (sikurse u thanë të gjithëve të besonin). Veprat e Golicinit janë çelësi për të kuptuar se si parimet e lashta të shtjelluara nga Sun Ci [strateg dhe mendimtar kinez, që mendohet se ka jetuar në shekujt VI ose IV para erës së re] në librin “Lufta e bazuar në mashtrim” gjejnë zbatim praktik në formën e strategjie gjithëpërfshirëse kombëtare. Pikërisht këtë kanë bërë dhe sovjetikët atëherë (dhe tani “neo-sovjetikët”). Me “neo-sovjetikë” nënkuptoj Vladimir Putinin dhe shokët që i ngjajnë në Kremlin dhe Lubjanka” [selia e KGB-së dje dhe e FSB-së sot]

Prishja BS-Shqipëri

Një nga mitet e mëdha të Luftës së Ftohtë ishte e ashtuquajtura “shizëm” mes Bashkimit Sovjetik, Kinës, Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Edhe pse “Hrushovi denoncoi publikisht udhëheqësit shqiptarë në kongresin XXII të PKBS në tetor 1961, për kritikat e tyre ndaj programit të partisë sovjetike, për stalinizmin e tyre dogmatik, dhe për refuzimin ndaj bashkekzistencës paqësore”, Enver Hoxha gjithsesi shprehu “nëpërmjet shtypit partiak shqiptar solidaritetin e vazhdueshëm të partisë së tij me PKBS”, shpjegonte dezertori i KGB-së Anatoli Golicin [sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes për emrat me origjinë ruse, transkriptimi në anglisht: Anatoliy Golitsyn] në librin e tij “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra. Strategjia komuniste e mashtrimit dhe dezinformimit” [New Lies for Old. The Communist Strategy of Deception and Disinformation, botuar në SHBA në vitin 1984, por që pengua të përkthehej në shqip pas vitit 1991].

Pasi pohoi mbështetjen e tij të vazhdueshme për PKBS, ndërkohë Hoxha gjeti rastin t’i përgjigjej një sulmi nga “Hrushovi dhe grupi i tij”, duke deklaruar se ata po tradhtonin leninizmin; “po rivendosnin kapitalizmin në Bashkimin Sovjetik; po bënin politikë oportuniste koncesionesh ndaj, dhe bashkëpunimi me, imperializmin; dhe se po komplotonin me kryerevizionistin, Tito”, shkruante Golicini.

Pastaj u vazhdua me prishjen e marrëdhënieve diplomatike sovjetike-shqiptare në dhjetor 1961, me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në vitin 1962 dhe mospjesëmarrjen në mbledhjet e KNER-it [Komiteti i Ndihmës Ekonomike Reciproke], që drejtohej nga BS. Por kjo ndarje, ishte vetëm sipërfaqësore, e projektuar për të keq-informuar dhe mashtruar Perëndimin mbi amalgamimin e vërtetë të komunizmit ndërkombëtar dhe lidershipin sovjetik strategjik jashtë vendit.

Departamenti “D”

Majori Anatoli Golicin (një njeri i brendshëm në Departamentin “D”, departament shumë sekret i KGB-së, që mbikëqyrte dhe zbatonte fushatën strategjike dizinformuese afatgjatë të Bashkimit Sovjetik) tregon se si në fund të vitit 1959 “departamenti i dezinformimit i KGB-së po bashkëpunonte aktivisht me sektorin e operacioneve aktive të Komitetit Qendror dhe me shërbimet sekrete jugosllave dhe shqiptare në operacione të përbashkëta dezinformimi” [the KGB's disinformation department was actively collaborating with the Central Committee’s Department of Active Operations and with the Yugoslav and Albanian security services in joint disinformation operations].

Departamenti D, grupi i dezinformimit në KGB, u krijua në vitin 1959 nga deri atëherë Kryetari i KGB-së, Aleksandër Shelepin.

Operacion trekëndor dezinformimi

“Efekti i udhëzimeve të Shelepinit”, vazhdonte Golicini, “ishte të bëhej Shqipëria, së bashku me Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, pjesë e një operacioni trekëndor dezinformimi, metodë inteligjente për kthyer në avantazh polemikat e vërteta të mëparshme të politikës afatgjatë të bllokut dhe vështirësitë në marrëdhëniet midis tre vendeve… Liderët e bllokut do t’i kishin parasysh konsideratat strategjike në planifikimin e këtij operacioni, me gjasë të ketë qenë edhe i brendshëm dhe i jashtëm.

Golicini shpjegonte logjikën e një fushate të tillë:

“Operacion dezinformimi ndaj të cilit si udhëheqësit jugosllavë ashtu dhe ata shqiptarë u ofronin partive avantazhe thelbësore, duke siguruar hapësirë ​​për bashkëpunim të aluduar sekret mes drejtuesve të partive në një operacion me rëndësi për tërë bllokun, në të njëjtën kohë duke siguruar një mjet për të vonuar bërjen publike të pajtimit të tyre të fshehtë para anëtarëve të thjeshtë të partisë dhe popullit në përgjithësi”.

Detyra për t’u vetëquajtur “stalinist”

Lidhur me rolin e Shqipërisë në këtë strategji afatgjatë mashtrimi, Golicini vinte në dukje:

“Përfshirja e udhëheqësve shqiptarë ishte hapi tjetër logjik. Ata gjithashtu mund të jenë ngatërruar dhe angazhuar aktivisht në politikën e re. Një operacion dezinformimi që përfshinte një polemikë të përllogaritur, të rreme me Bashkimin Sovjetik u jepte mundësinë të fitonin pikë në popull dhe të rrisnin prestigjin e vet e të partisë së tyre si forcë e pavarur kombëtare mjaft të fuqishme për t’iu kundërvënë deri ndërhyrjes brutale të Hrushovi në punët e tyre”.

Duke pasur parasysh rreshtimin në të kaluarën të Shqipërisë me Stalinin në prishjen reale Tito-Stalin dhe fakti se Perëndimi ishte në dijeni të këtij rreshtimi, do të dukej logjike dhe bindëse që Shqipëria të konsiderohej vend “stalinist” në partneritet me kinezët në një konflikt të përllogaritur dhe të kontrolluar nga sovjetikët. Shërbeu gjithashtu si një lëvizje e dobishme paraprak drejt një afrimi më të hapur dhe zyrtar sovjetik-jugosllav nga viti 1961 e këtej, në opozicion aparent ndaj ortakërisë kino-shqiptare”.

Testi  me një vend të vogël

Për shkak se Shqipëria është vend i vogël dhe gjeografikisht i ndarë nga Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera satelite të Traktatit të Varshavës, ishte “zgjedhje veçanërisht e përshtatshme për të qenë e para anëtare me të drejta të plota e bllokut për t’u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik pas vitit 1958” [particularly suitable choice to be the first full member of the bloc to split away from the Soviet Union after 1958], deklaronte Golicini, duke shtuar:

 “Ndarja” sovjetike-shqiptare do të shihej në fakt si projekt pilot për përçarjen shumë më të rëndësishme, atë kino-sovjetike, e cila duhej të ishte tashmë në fazat paraprake të zhvillimit. Ajo u dha mundësi strategëve të bllokut të testonin themelësinë e koncepteve dhe teknikave të tyre të dezinformimit dhe të studionin pasojat e brendshme dhe të jashtme e një ndarjeje të vogël sa për sy e faqe para se të angazhoheshin në një ndarje të madhe të rreme mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

 “Koha e Veçantë”

Në vitin 1984, në librin “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” dhe në atë “Mashtrimi i perestrojkës” të botuar në vitin 1991, Golicini parashikon rimëkëmbjen e aleancave të vjetra komuniste, të “konservuara” për të gjetur një Kohë Iks. Në Shqipëri, në stërvitjet ushtarake me rezervistë, flitej dhe për organikat e “Kohës së Veçantë”, kur në Shqipëri mund të vendosej kapitalizmi. Ministra, sekretarë të parë, kryetarë komitetesh ekzekutive, drejtorë policie dhe sigurimi etj. Në këtë “Kohë të Veçantë” do të ishin njerëz të tjerë, të panjohur, nipa dhe stërnipa “antikomunistë”, “të djathtë”, “ballistë”, “monarkistë”, “ish-pronarë”.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/