Teuta udhëton drejt Vlorës, ku ditën e diel do të përballet me skuadrën e Flamurtarit. Durrsakët pas fitores me Partizanin në fushën e tyre, do të kërkojnë konfirmimin në transfertë me vlonjatët që ndodhen në vendin e fundit të renditjes së futbollit elitar në vendin tonë.

Me përjashtim të Shkallës dhe Beqjes me kartonë të kuq, durrsakët do të jenë më të plotë në këtë sfidë, pasi rikthehen Avdyli dhe Hoxha, por ditën e sotme është bashkuar edhe sulmuesi afrikan, Basid Abdul Khalid, i cili është vënë nën urdhrat e trajnerit Edi Martini.

Pritet që trajneri shkodran të shohë formën e sulmuesit dhe të vendosë, nëse do ta aktivizojë që nga fillimi në këtë transfertë delikate, apo mund ta hedhë në fushën e blertë në pjesën e dytë, në varësi edhe të rezultatit të takimit.

Khalid pësoi dëmtim dhe ka munguar në katër ndeshjet e fundit. Kujtojmë që sulmi i Teutës edhe pse me kualitete dhe sidomos me dy futbollistë mjaft cilësorë si: Nikaç dhe Khalid, sërish nuk ka qenë në pritshmëritë e drejtuesve, ndonëse bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe të mirëpaguar.