"Agimi i Artë është një kërcënim për demokracinë greke. Është një parti që rrezikon imazhin e Greqisë dhe mendoj se duhet kërkuar që të shpallet e jashtëligjshme". 

Këto fjalë janë përdorur nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (KiE), Nils Mui-znieks, duke folur përpara dhjetëra gazetarëve grekë dhe evropianë, rreth dhunës raciste në rritje të regjistruar në Greqi, me protagonistë anëtarët e Agimit të Artë. 

Komisioneri theksoi se Greqia është e kërcënuar nga retorika naziste e partisë Agimit të Artë, së cilës Këshilli i Evropës do të mendojë t’i ndalojë përfaqësimin në zgjedhjet e ardhshme, një parti që siç u shpreh “përbën turp për çdo demokraci evropiane". 

I pyetur nëse nxjerrja jashtë ligjit e partisë Agimi i Artë do të zgjidhë problemin e racizmit në Greqi, ndërkohë që ajo është votuar nga më shumë se 400 000 grekë dhe vazhdon të rritë mbështetjen sipas sondazheve të fundit, komisioneri u përgjigj se “problemi i racizmit është i vjetër dhe i ka rrënjët e thella. Racizmi dhe nazizmi kanë ekzistuar para Agimit të Artë dhe do të ekzistojnë edhe më pas”. 

Komisioneri theksoi se rritja e popullaritetit të partisë naziste në Greqi nuk ndodhi thjesht për shkak të krizës ekonomike, por si pasojë e zhvlerësimit të përgjithshëm të politikës. “Përgjegjëse për rritjen e racizmit në Greqi nuk është vetëm kriza ekonomike, por kryesisht dobësimi i partive në pushtet. Parti raciste dhe naziste ka edhe në vende të tjera, por nuk pajtohen me retorikën e dhunshme të agimit të Artë”, theksoi komisioneri. 

Për faktin që Agimi i Artë po punon për t’u përhapur me degë edhe në vende të tjera, Muiznieks sqaroi se partitë naziste dhe raciste janë të prirura gjithmonë për të bashkëpunuar, ndërkohë që interneti është aleat i mire për ta. Kjo është një dukuri që ka trazuar edhe Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Jo aq për shkak të mbështetjes në nivel ideologjik dhe politik, por kryesisht për arsye se partitë naziste ndihmojnë njëra-tjetrën ekonomikisht. “Kjo është diçka që duhet të ndalet”, tha ai. 

Lidhur me valën e emigracionit klandestin që përballon Greqia komisioneri theksoi se “Greqia nuk mund ta trajtojë e vetme problemin e emigrimit”.