Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Ukrainës i është dhënë drita jeshile për të përdorur armët që ka marrë nga aleatët e saj për të kryer sulme thellë brenda territorit rus.
“Nuk ka më absolutisht asnjë kufizim në rrezen e veprimit për armët që i dorëzohen Ukrainës, as nga Britania, as nga Franca, as nga ne, as nga amerikanët”, tha Merz gjatë një konference në Berlin të hënën, sipas agjencisë Bloomberg. “Kjo do të thotë se Ukraina mund të mbrohet duke sulmuar pozicione ushtarake edhe në Rusi.”
Aleatët perëndimorë të Ukrainës po përpiqen të rrisin presionin mbi Kremlinin, pas një breshërie të paprecedentë sulmesh me drone nga Moska kundër Ukrainës, që përbëjnë ofensivën më të madhe në këto tre vite lufte.
Presidenti amerikan Donald Trump shprehu më herët zhgënjimin e tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe vonesat në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi. Kremlini hodhi poshtë kritikat e Trump si një “reagim emocional” dhe mbrojti sulmet vdekjeprurëse në gjithë Ukrainën.
“Fillimi i procesit negociues, për të cilin pala amerikane bëri përpjekje të mëdha, është një arritje shumë e rëndësishme dhe jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve, ndaj presidentit Trump,” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Merz, i cili mori detyrën këtë muaj pas një fushate ku u paraqit më “agresiv” se paraardhësi i tij Olaf Scholz, tha se qeveria e tij do të bëjë “çfarë të jetë e mundur” për të ruajtur mbështetjen ushtarake për Kievin. Sipas Bloomberg, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Berlinin të mërkurën, duke cituar një burim të njohur me planet.
Kremlini: Vendim i rrezikshëm
Nga ana e tij, Kremlini e cilësoi vendimin për t’i dhënë Ukrainës leje të godasë objektiva thellë në Rusi si një vendim të rrezikshëm, duke shtuar se “ky vendim është në kundërshtim me aspiratat tona për një zgjidhje politike.”
Macron: Trump po e kupton gënjeshtrat e Putinit
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të hënën nga Vietnami se Donald Trump po fillon të kuptojë gënjeshtrat e presidentit rus në lidhje me Ukrainën.
Ai shtoi se shpreson që zemërimi i presidentit amerikan ndaj Putinit “të shndërrohet në veprim.”
Këto komente erdhën pas një postimi të Trump në rrjetet sociale ku ai shkruante se Putin “ishte çmendur fare” dhe se ai po mendon të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës.