Në luftën kundër Ukrainës, Rusiaka nevojë për gjithnjë e më shumë armë. Prandaj, presidenti rus Vladimir Putin transferoi një pjesë të madhe të industrisë në prodhimin e luftës. 

Të gjitha kompanitë në dispozicion duhet të prodhojnë pajisje ushtarake, municion ose pjesë këmbimi për armë. Duke pasur parasysh se për shkak të sanksioneve është i ndaluar importimi i aseteve që mund të përdoren për qëllime ushtarake, Rusia përpiqet të prodhojë sa më shumë gjëra të jetë e mundur në vendin e saj. Produktet e industrisë gjermane luajnë një rol të rëndësishëm në këtë, sipas hulumtimit të SWR (Südwestrundfunk). 

Rusia importon makineri gjermane 

Sipas dokumenteve doganore ruse të marra nga SWR, më shumë se 300 pajisje të prodhuesve gjermanëu dorëzuan në Rusi deri në fund të dhjetorit 2023. Shumica e tyre janë makina të mëdha industriale ose të ashtuquajturat makina CNC. Këto pajisje të kontrolluara nga kompjuteri mund, për shembull, të presin çelikun, të përpunojnë fije metalike ose t’i bashkojnë ato në mënyrë automatike. Prodhimi i pjesëve apo municioneve të makinave apo avionëve është pothuajse i paimagjinueshëm pa pajisje të tilla. 

Olena Yurchenko nga Këshilli i Sigurisë Ekonomike të Ukrainës ka hulumtuar këtë temë për një kohë të gjatë dhe paralajmëron se 80 për qind e makinerive CNC në Rusi sot punojnë në prodhimin e armëve dhe pajisjeve për ushtrinë. “Me makineritë CNC të kontrolluara nga kompjuteri, ju mund të prodhoni shumë më shpejt dhe më saktë, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në fushën e armëve. Kështu që ju mund të prodhoni armë edhe më vdekjeprurëse. Ndërsa Gjermania është lider botëror në prodhimin e makinave të tilla me një pjesë në Rusi prej rreth 30 për qind”. 

Bashkëpunimi me ushtrinë ruse 

Makinat gjermane përdoren nga nënkontraktorë të shumtë në prodhimin e armëve ruse. SWR ishte në gjendje ta vërtetonte atë në bazë të regjistrimeve fotografike dhe videove. Kompanitë ruse Parsek, Kamaz, NIR ose Industrial Solutions furnizojnë ushtrinë ruse me motorë dhe pjesë për avionë dhe raketa. Në të gjitha këto kompani përdorin makineri gjermane. Sipas të dhënave të doganave ruse, makina shtesë u dorëzuan deri në fund të vitit 2023. 

SWR ishte në gjendje të identifikonte më shumë se 30 prodhues gjermanë, pajisjet e të cilëve u importuan në Rusi vitin e kaluar, shumë prej tyre me bazë në Baden-Württemberg. Rreth dy të tretat e këtyre pajisjeve u importuan në Rusi nëpërmjet Turqisë. Ndërmjetësuesit turq të përfshirë në këtë tregti kanë, sipas hulumtimit të SWR-së, lidhje të drejtpërdrejta me Rusinë, disa madje janë themeluar nga sipërmarrës rusë. 

E dobishme për të gjithë të përfshirët 

Eksperti i sanksioneve Benjamin Hilgenstock i Shkollës Ekonomike të Kievit bën thirrje për kontrolle më të mira në këto fushë: “Anashkalimi i sanksioneve është jashtëzakonisht fitimprurës. Shumë shpesh është dikush në një vend të tretë që i bën këto dhe përfiton shumë nga këto punë.” Por anashkalimi i sanksioneve mund të parandalohet, thotë Hilgenstock. “Në fund të ditës, ne duhet të arrijmë në pikën ku autoritetet e bëjnë të qartë se kontrollet e eksportit duhet të zbatohen.” 

Prodhuesit fajësojnë ndërmjetësit 

Do të kishte shkelje të sanksioneve nëse prodhuesi gjerman e di që këto pajisje përfundojnë në Rusi, le të themi përmes Turqisë. Kur u pyetën nga SWR, inxhinierët gjermanë thonë se ata gjithmonë janë në përputhje me rregulloret e sanksioneve. Ata nuk mund të shpjegojnë se si pajisjet e tyre arritën në Rusi – me sa duket ndërmjetësit turq kanë shkelur kushtet e kontratës, pa dijeninë e prodhuesve gjermanë, thonë ata. Kjo është e vështirë të verifikohet. 

Ekspertja ukrainase e sanksioneve, Olena Yurchenko beson se Bashkimi Evropian duhet të veprojë. “Ne kemi nevojë urgjente për vullnet politik në nivel evropian për të forcuar dispozitat për sanksionet – për shembull, nëse degët e kompanive evropiane marrin pjesë në tregti me Rusinë. Duhet të shtrëngojmë sanksionet edhe në sektorin bankar, kjo do të ndihmonte”. 

Cilat kompani bëjnë këto punë? 

Kompania Walter Maschinenbau nga Tübingen është renditur njëmbëdhjetë herë në dokumentet doganore ruse në vitin 2023. Dërgesa të tilla, sipas hulumtimit të SWR, mund të ndodhin edhe sot e kësaj dite. Shitësi me shumicë ruse aktualisht po ofron një makinë krejt të re Walter të ndërtuar në vitin 2024. 

Për më tepër, një numër i madh i makinave Walter përdoren nga kompania ruse NIR SHA. Kjo kompani, sipas forcave të sigurisë ukrainase, furnizon ushtrinë ruse me motorë për avionë dhe raketa. Kompania Walter nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve të shumta të SWR. 

Burimet ruse dhe informacionet 

Kompania Vollmer nga Biberach aktualisht ka një faqe interneti aktive ruse me informacione rreth partnerëve të shërbimit dhe mirëmbajtjes. Sipas dokumentacionit doganor rus, katër makina të mëdha Vollmer, secila me peshë prej disa tonësh, u importuan në Rusi vitin e kaluar. Nuk kishte përgjigje për disa pyetje të dërguara nga SWR tek Vollmer. 

Shtatë dërgesa të produkteve nga Fein GmbH nga Schwäbisch-Gmünd shkuan në Rusi, përveç kësaj kjo kompani ka ende një faqe interneti aktive për Rusinë. Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve specifike të SWR, duke deklaruar vetëm se “ne në C. & E. Fein GmbH po marrim të gjitha masat për të respektuar rregullat e sanksioneve.” Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nuk mund të japim informacione të mëtejshme”. 

“Made in Germany” mundëson prodhimin e armëve 

Në disa video SWR ishte në gjendje të identifikonte pajisje nga kompania Heller nga Nürtingeni në disa kompani ruse, të cilat punojnë për ushtrinë ruse, duke përfshirë Parsek dhe Kamaz. Të dyja këto kompani janë të përfshira në industrinë ruse të armëve. 

Kompania Heller iu përgjigj pyetjes, se ajo është në përputhje me të gjitha rregulloret mbi sanksionet dhe se nuk mund të shpjegojë se në cilën rrugë u dorëzuan pajisjet e tyre në Rusi vitin e kaluar. Edhe këtu, sipas hulumtimit të SWR, janë përfshirë ndërmjetës turq. 

SWR identifikoi më shumë prodhues gjermanë të makinerive, produktet e të cilëve përdoren nga nënkontraktorët rusë të industrisë ushtarake. Shoqata e Inxhinierëve Mekanikë Gjermanë njoftoi në lidhje me këtë: “Ne nisemi nga fakti që prodhuesit e makinerive dhe impianteve respektojnë rregulloret për sanksionet dhe ligjin. Shoqëritë apo ndërmjetësit që nuk respektojnë rregulloret ligjore që zbatohen për to, kryejnë vepër penale. Ne refuzojmë pezullimin e dërgesave në Turqi”. 

Eksperti paralajmëron 

Eksperti i sanksioneve Hilgenstock nga Shkolla Ekonomike e Kievit supozon se kompanitë gjermane nuk janë gjithmonë të informuara që produktet e tyre arrijnë në Rusi. Por nëse përpiqen, ata mund ta kuptojnë këtë. Hilgenstock kërkon shtrëngimin e detyrimit të kontrollit për kompanitë, sepse “do të bënte një ndryshim të madh nëse një kompani do ta dinte se përfundimisht mund të kishte probleme ligjore dhe të përballej me gjoba nëse do ta bënte”. “Ndaj duhen ndërmarrë hapa për kontrollin e zinxhirëve të furnizimit.”/DW