Finalja e Copa America Centenario do të jetë Argjentinë-Kili. Një përsëritje e finales së edicionit të kaluar ku “La Roja” triumfoi në Santiago vetëm pas goditjeve të 11-metërshave. Kili, pas golaedës me Meksikën, edhe ndaj Kolumbisë e mbylli gjysmëfinalen brenda 11 minutave lojë, duke shënuar dy gola të shpejtë.
Në stadiumin e Cikagos, skuadra e Pizzit kaloi në avantazh që në minutën e shtatë pas një kundërzbritjeje të shpejtë nga e djathta të Fuenszalidas, që e detyroi Cuadradon ta kthente topin me kokë për Aranguiz, i cili nuk i dha asnjë shans portierit Ospina. Kolumbia e shokuar nga ky gol i shpejtë, nuk arrin të reagojë, përkundrazi pas vetëm katër minutave u ndëshkua sërish pas një rivënieje të gjatë të Bravos për Alexis Sanchez, i cili arrin t’i shmaget kundërshtarit duke goditur traversën. Topi i kthyer në lojë u shty lehtësisht drejt rrjetës nga Fuenzalida.
Kolumbia mundi të reagonte vetëm në minutën e 24-rt me James Rodriguez, që pason saktë për Martinez, por Bravo nuk lejon ndryshimin e rezultatit. Në fund të pjesës së parë ishte sërish portieri i Barcelonës që u shfaq vendimtar për përfaqëusesen e Kilit.
Pikërisht në pushimin mes pjesëve një stuhi e furishme, krejt të zakonshme në Amerikë në këtë periudhë, boshatisi tribunat e stadiumit të Chicagos. Vetëm pas 2 orë e 25 minutash u dha autorizimi që të luhej pjesë e mbetur e ndeshjes. Shpresat e Kolumbisë për të përmbysur shifrat u venitën në minutën e 57-të kur Carlos Sanchez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në të 67-ën Ospina i mohon golin e tretë Kilit, pas goditjes me kokë të Pulgar. Në minutat e mbetura nuk ndryshoi asgjë, pasi më shumë se 4 orë nga nisja e takimin, Kili fitoi 2-0 duke prerë biletën për në finale, ku e pret për hakmarrja Argjentina e Lionel Messit.





