Sipas Reuters, diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe babai i tij i ndjerë, Kim Jong-il, kanë përdorur pasaporta braziliane për të aplikuar për viza të cilat i lejonin të vizitonin vendet perëndimore në vitet 1990.
Ndërsa mësohet se familja qeverisëse e Koresë së Veriut, ka përdorur dokumentet për të udhëtuar nëpërmjet mashtrimeve, më poshtë jepen disa shembuj edhe më të detajuar, shkruan tvklan.
"Ata përdorën këto pasaporta braziliane, të cilat tregojnë qartë fotografitë e Kim jong-un dhe Kim Jong-il, në përpjekje për të marrë viza nga ambasadat e huaja", tha një burim i sigurisë perëndimore në kushtet e anonimitetit.
"Kjo tregon dëshirën për të udhëtuar dhe tregon përpjekjet e familjes sunduese për të ndërtuar një rrugë të mundshme shpëtimi", tha burimi i sigurisë.
Ambasada e Koresë së Veriut në Brazil nuk pranoi të komentojë, ndërsa Ministria e Jashtme e Brazilit tha se po hetonte këtë rast.
Një burim brazilian, i cili dha informacione në kushte anonimiteti tha se dy pasaportat në fjalë ishin dokumente legjitime të cilat i ishin dërguar konsullatës braziliane.
Katër burime të tjetë të sigurisë në Evropën Perëndimore konfirmuan se dy pasaportat braziliane me fotot e dy Kimëve me emrat Josef Pwag dhe Ijong Tchoi përdoreshin për të aplikuar për viza në të paktën dy vende të Perëndimit. Nuk është e qartë nëse janë lëshuar vizat ose jo.
Pasaportat mund të përdoreshin gjithashtu për të udhëtuar në Brazil, Japoni dhe Hong Kong, thanë burimet e sigurisë.
Gazeta japoneze Yomiuri Shimbun raportoi në vitin 2011 se Kim Jong-un vizitoi Tokion duke përdorur një pasaportë braziliane në vitin 1991, përpara datës së lëshimit të dy pasaportave braziliane.