Partia në pushtet e Kim Jong Un ka shpallur një fitore dërrmuese në zgjedhjet e fundit në Korenë e Veriut, duke siguruar pothuajse 100 për qind të votave. Sipas mediave shtetërore, konkretisht agjencisë KCNA, partia fitoi 99,3% dhe zgjodhi 687 deputetë në Asamblenë Popullore Supreme, të gjithë nga Partia e Punëtorëve.

Megjithatë, procesi zgjedhor nuk ofroi zgjedhje reale për qytetarët, pasi votuesve iu kërkua të miratonin ose refuzonin vetëm një kandidat të përzgjedhur nga partia. Pjesëmarrja u raportua në nivelin 99,9%, duke reflektuar, sipas regjimit, “besimin dhe përkushtimin e popullit ndaj sistemit politik”.

Edhe pse Kim Jong Un nuk kandidoi në këto zgjedhje, ai pritet të rikonfirmohet si kryetar i Komisionit të Çështjeve Shtetërore, një post që e mban që nga viti 2016. Ndërkohë, motra e tij, Kim Yo-jong, ka fituar një rol më të lartë në parti, duke u konsideruar një nga figurat më të fuqishme në vend.

Zgjedhjet, të cilat zhvillohen çdo pesë vjet, sipas kushtetutës, u shtynë për t’u përputhur me kongresin e partisë. Asambleja e re do të mblidhet më 22 mars për të shqyrtuar planin pesëvjeçar, përfshirë zgjerimin e arsenalit bërthamor dhe zhvillimin e raketave me rreze të gjatë.

Kim Jong Un fiton zgjedhjet në Korenë e Veriut, merr 99,3% të