Kim Kardashian ka pranuar se në fillim të viteve 2000 përdori miqësinë me Britney Spears si mënyrë për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe për t’u bërë e famshme.

Themeluesja e markës SKIMS e bëri këtë rrëfim gjatë një interviste në podcastin “Khloé in Wonder Land”, ku kujtoi një episod të hershëm nga jeta e saj në New York, kur po darkonte me mikun e saj të ngushtë, Jonathan Cheban.

Kardashian tregoi se gjatë darkës mësuan se Britney Spears po qëndronte në një hotel aty pranë. Në atë periudhë, ajo dhe Cheban nuk kishin as mjete për të lëvizur lehtë, ndërsa një nga personat e pranishëm në darkë po ngiste një Rolls-Royce Phantom.

“Fama ishte gjithçka që doja. Jetoja për të,”tha Kardashian, duke shtuar se i kërkuan atij personi t’i çonte me makinë drejt hotelit, ndërsa ajo dhe Cheban u ulën në sediljen e pasme për të krijuar përshtypjen se kishin shofer personal.

Sipas saj, sapo mbërritën në hotel, paparacët që po prisnin Britney Spears filluan t’i thërrisnin emrin, duke e pyetur nëse ishte aty për ta vizituar këngëtaren. Për të shmangur situatën, Kardashian dhe Cheban u futën në një kabinë telefonike brenda hotelit, ku qëndruan për rreth 20 minuta.

Kur u larguan, paparacët vazhduan ta ndiqnin dhe ta pyesnin për Britney Spears, ndërsa Kardashian pranoi se kjo strategji funksionoi, pasi fotografitë u publikuan gjerësisht në media. “Ishim në çdo kopertinë dhe menduam se po ia dilnim mbanë,” shtoi ajo.

Kim Kardashian dhe Britney Spears janë njohur në fillim të viteve 2000 përmes shoqes së përbashkët, Paris Hilton. Pavarësisht këtij episodi, dy yjet kanë ruajtur marrëdhënie miqësore ndër vite dhe janë shfaqur së bashku edhe së fundmi.