Pas takimit të ambasadores Yuri Kim me krerët e SPAK dhe BKH, diplomatja amerikane ka reaguar në Twitter.

Ajo shkruan se gjatë takimit është shprehur dhe njëherë mbështetja për prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Kim thotë se reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë, por po bën përparime.

“U takova sot me Drejtorin e BKH-së Aida Hajnaj dhe Shefin e SPAK-së Arben Kraja për të ritheksuar mbështetjen e fortë për SPAK-un. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë ose e lehtë, por po ecën përpara hap pas hapi dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që shqiptarët të kenë drejtësi. Sundimi i ligjit është gjithashtu thelbësor për investimet e huaja”, shkruan Kim.

Takimi zgjati rreth 45 minuta në zyrën e ambasadores amerikane. Ajo shoqërohej dhe nga agjentë të FBI-së. 60 oficerë të policisë gjyqësore do të jenë pjesë e BKH dhe ky ka qenë edhe qëllimi i takimit.