Gjermania u duk në rrugën e duhur drejt finales së Ligës së Kombeve kur Florian Virc i kaloi në epërsi (48’) në fillimin e pjesës së dytë kundër Portugalisë. Por dy gola në 5 minuta nga luzitanët dhe një reagim i dobët i Gjermanisë sollën eliminimin e të zotëve të shtëpisë nga kompeticioni.Edhe më i hidhur ishte eliminimi për kapitenin Joshua Kimish, i cili kundër Portugalisë luajti ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Gjermanisë. Një humbje 1-2, që i ka prishur festën. Kapiteni i ekipit kombëtar gjerman foli pas eliminimit nga gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve kundër Portugalisë, duke mos kursyer askënd. “Ishim shumë larg limitit tonë. Nuk arritëm të sillnim energjinë tonë në fushë. Nuk mund të dalloje që kishim një mentalitet fituesi dhe një lloj dëshire për të fituar. Të gjitha këto na munguan. 

Edhe pasi shënuam golin e 1-0, nuk më dukej sikur donim të avanconim në finale. Sepse na mungoi energjia dhe shumë gjëra shkuan keq. Ose, më saktë, shumë gjëra i kemi bërë keq”, tha Kimish.Dhe e gjithë kjo disfatë në “Allianz Arena” të Mynihut, “dhomën e ndenjjes” së Kimish dhe disa prej lojtarëve të tjerë të Bajernit në kombëtaren gjermane. Dhe ndeshja kishte filluar shumë prekëse…Kimish u shtang para fillimit të takimit, kur papritmas, djali i tij po qëndronte pranë tij në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes. “Çfarë bën ti këtu”, i tha Kimish djalit të tij, duke i dhënë një përqafim të ngrohtë. Por gjërat nuk vazhduan aq mirë në fushë, me një Gjermani që pa të tejkalohej nga një Portugali e qartë dhe e saktë në lojën e saj.“Sigurisht që në këtë takim na munguan shumë lojtarë cilësorë, por kjo nuk ka të bëjë fare me faktin që duhet të sjellim më shumë energji në fushë. 

Na duhen shumë lojtarë në fushë që e duan topin dhe që kanë edhe guximin të gjejnë zgjidhjen e duhur me të. Kjo padyshim nuk ishte e mjaftueshme. Nuk ishim mirë në duele dhe, në përputhje me rrethanat, nuk patëm shumë situata tranzicioni. Edhe pas epërsisë 1-0 kisha ndjesinë se gjërat u dobësuan pak dhe ne po i ndiqnim ato. Ishte një humbje plotësisht e merituar”, tha ai. Pavarësisht zhgënjimit, Kimish ishte gjithashtu krenar për paraqitjen e tij të 100-të me kombëtaren gjermane. “Ishte shumë emocionuese të shihja djalin tim të vraponte në fushë me mua. 100 paraqitje për Gjermaninë janë diçka shumë e veçantë për mua. Sidomos kur shikoj prapa, nuk kam qenë kurrë një lojtar i shkëlqyer apo një yll i shkëlqyer si lojtar i ri. Më është dashur të punoj shumë, shumë fort për gjithçka”.