Pasi u vu nën trysni nga kreu i shumicës në Senat, Chuck Schumer, Pekini dënoi sulmet e kryera nga Hamasi në Izrael, por pa e përmendur Hamasin.
Në deklaratën e fundit të Ministrisë së Jashtme, Kina dënoi “dhunën dhe sulmet ndaj civilëve” dhe tha se “më urgjente tani, është armëpushimi dhe rivendosja e paqes”.
Deklarata e lëshuar të hënën, erdhi pasi demokrati Schumer i shprehu zhgënjimin e tij udhëheqësit kinez Xi Jinping mbi deklaratën e mëparshme të Kinës ku bëhej thirrje vetëm për pëmbajtje.
“Bisedova me Presidentin Xi mbi mizoritë që po kryhen kundër Izraelit dhe nevojën që bota të jetë e bashkuar kundër terrorrizimit dhe bashkë krah popullit izraelit. I kërkova në mënyrë të drejtpërdrejtë Presidentit Xi që ministria e Jashtme të forconte deklaratën e saj, dhe e bënë”, tha zoti Schumer përmes një deklarate të hënën.
Megjithatë, në konferencën e zakontë për shtyp të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze nuk e përmendi emrin e Hamasit dhe refuzoi t’i cilësone sulmet e ndërmarra nga militantët si një akt terrorizmi.
Vetëm ambasada kineze në Izrael e ka përmendur Hamasin dhe i ka etiketuar militantët “terroristë” kur tha se një grua e re me origjinë izraelito-kineze ishte midis pengjeve të kapur nga luftëtarët e Hamasit, sipas Associated Press.
“Noa u rrëmbye nga terroristët e Hamasit ndërsa ndiqte një festival muzikor në Izraelin jugor. Ajo u tërhoq zvarrë nga Izraeli në Gaza,” thuhej në një deklaratë e ambasadës. “Ajo është një vajzë, një motër dhe një shoqe”.
Kina “neutrale” për të ruajtur ndikimin tek vendet në zhvillim
Analistët besojnë se Kina e shmang dënimin në mënyrë të drejtpërdrejtë të Hamasit për të ruajtur ndikimin në vendet në zhvillim.
Jonathan Schanzer, zëvendës president i Fondacionit Kërkimor për Mbrojtje dhe Demokraci, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Ameriksë se “Kina përherë ka anuar drejt botës Arabe madje edhe drejt aktorëve jo shtetërorë, që mbështeten nga shtete të papërgjegjshme”.
Benjamin H. Friedman, drejtor i politikave pranë fondacionit Përparësitë e Mbrojtjes i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se “Kina po përpiqet të marrë një pozicion më të paanshëm se Shtetetet e Bashkuara dhe të shihet nga bota si më neutrale dhe jo domosdoshmërisht në krah të Izraelit, si Shtetet e Bashkuara. Dhe mendoj se kjo është në kuadër të një synimi të vazhdueshëm për të fituar më shumë ndikim në vendet në zhvillim”.
Analistët besojnë se qëndrimi jo i qartë i Pekinit ndaj sulmeve të fundit është i mirëmenduar për të ruajtuar marrëdhëniet me fuqi rajonale, si Arabinë Saudite dhe për të qenë në kontrast me çdo përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar konfliktin.
Arabia Saudite dhe Irani rivendosën marrëdhëniet diplamatike në mars në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kina, e cila u pa si një rritje e fuqisë gjeopolitike të Pekinit në rajon.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojne një marrëveshje paqeje mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. Kjo do të shihej si një frenim diplomatik për Iranin, i cili prej kohësh është cilësuar si mbështetës i fortë i Hamasit.
Carice Witte, themeluese dhe drejtuese e qendrës Lidhja Globale Kinezo-Izraelite i tha shërbimit kinez të Zërit të Amerikës, se ndërsa Kina nuk do të shohë sulme ndaj Izraelit si ato në fundjavë, Pekini “kërkon ta ketë Arabinë Saudite në krah të Kinës”.
Izraeli i ka krahasuar sulmet e fundjavës nga Hamasi si “sulmet e 11 shtatorit” ndaj Shteteve të Bashkuara, duke iu referuar ndikimit që sulmet kanë patur mbi jetën, pasuritë dhe gjendjen shpirtërore të izraelitëve.
Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetetet e Bashkuara, Kina i dënoi pa mëdyshje sulmet dhe bëri veprime në ndihmë të qeverisë amerikane, lëvizje që ndihmoi Pekinin të përmirësonte marrëdhëniet me Uashingtonin, pas disa vitesh tensioni ndërmjet dy vendeve.
Megjithatë, ekspertët nuk e shohin Kinën aq të gatshme dhe të aftë për të përfituar nga kriza aktuale për të përmirësuar marrëdhëniet kinezo-izraelite.