Kina e largët, hedh sytë nga Porti i Durrësit. Duke e konsideruar si një pikë kyçe jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe atë rajonal, shteti potencial aziatik shfaq në këtë mënyrë interesat e hapura për të shtuar shkëmbimet tregtare që kryen përmes tij.
Në një artikull të posaçëm të botuar nga prestigjiozja kineze “ChinaDaily” me titullin “Shqipëria, një udhëtim suksesi”, flitet me superlative për këtë nyjë strategjike të Adriatikut dhe investimet që po ndërmerren brenda tij. “Porti më i madh në Shqipëri, ai i Durrësit, luan një rol kyç jo vetëm në zhvillimin vendas, por edhe në atë rajonal. Rreth 90 për qind e transportit detar shqiptar kalon nëpërmjet tij, dhe kjo sasi po rritet me një mesatare vjetore prej 5-6 për qind. Brenda pesë viteve të fundit, Porti i Durrësit ka fituar stabilitetin dhe ka pësuar transformime të rëndësishme ligjore e strukturore, ndërsa ka forcuar edhe infrastrukturën dhe superstrukturën e saj. E duke zbatuar politikat dhe procedurat evropiane, ai ka eliminuar edhe problemet e sigurisë, duke qenë tashmë në një rrugë shumë të suksesshme”, citon artikulli i medias kineze të lartpërmendur.
Në artikull citohet edhe Eduard Ndreun, Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual në Durrës, i cili tregon sesi ky institucion po zbaton një shumëllojshmëri ndryshimesh, duke e bërë këtë pikë kufitare edhe më fleksibël dhe më efikas. "Kjo na bën tërheqës dhe konkurrues dhe na dallon nga të tjerët pranë. Deri në fund të vitit të ardhshëm, shpresojmë të jetë bërë tërësisht edhe privatizimi i të gjitha terminaleve. Unë mbetem i bindur se kjo procedurë do të ketë një ndikim pozitiv në operacionet tona", ka pohuar ai.
Terminali i kontejnerëve do të menaxhohet nga një kompani turke, ndërsa të gjitha terminalet e tjera do të jenë në proces privatizimi deri në fund të vitit. "Shumica e mineraleve shqiptare të shkojnë direkt në Kinë nëpërmjet këtij porti", sqaron më tej drejtori i portit të Durrësit. Ndërsa i fton të gjitha kompanitë kineze që të përdorin këtë pikë të rëndësishme të Adriatikut për shkëmbimet e tyre tregtare. Vetëm pak javë më parë, për Portin e Durrësit, kanë shprehur interesin e tyre edhe sipërmarrësit maqedonas, gjatë një takimi me ministrin shqiptar të Ekonomisë, Nasip Naço.