Kina nuk do të shpenzojë më kurrë shifra të çmendura në merkaton e futbollistëve. Vetëm pak ditë përpara hapjes së merkatos, e parashikuar për të hënën e ardhshme, autoritetet vendase miratuan masa mbrojtëse për akademitë e klubeve, që shpeshherë vuanin blerjet milionere të yjeve.Nëse do të blejnë lojtarë të huaj, që kushtojnë më tepër se 6 milionë euro, skuadrat e dy kategorive më të larta të futbollit në Kinë duhet të paguajnë një taksë me të njëjtën shifër të vlerës së paguar për kartonin. Ndërkohë, për tregun vendas, tavani për blerjen e futbollistëve është 2,6 milionë euro. Taksa e re është parashikuar të shkojë në një fond të dedikuar, për të financuar rritjen e futbollit kinez.
Një revolucion i mirëfilltë, duke llogaritur që vetëm gjatë vitit 2016 klubet e vendit aziatik shpenzuan 400 milionë euro në merkato.Me këtë ligj, praktikisht, çdo futbollist do të kushtonte dyfish. Praktikisht nëse për afrimin e Oscar nga Chelsea Shanghai Sipg investoi 70 milionë euro, me rregullat e reja, kosto e mesfushorit brazilian do të shkonte në 140 milionë euro. Përfshirja e “taksës së luksit” ishte paralajmëruar prej Janarit të këtij viti, për të disiplinuar tregun e futbollit në Kinë dhe për të evituar që situata të dilte jashtë kontrollit. Mes rregullave të tjera për të favorizra rritjen e futbollit vendas janë edhe aktivizimi i vetëm tre të huajve në ndeshje, detyrimi që çdo klub të investojnë 15 për qind të shpenzimeve vjetore për ekipet e moshave dhe përfshirja në skuadër e dy lojtarëve nën 23 vjeç, prej të cilëve njëri duhet të jetë titullar.Nëpërmjet këtyre masave, presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili është i apasionuar pas futbollit synon rritjen e nivelit të sportistëve në vend, edhe sepse mes objektivave të qeverisë popullore është organizimi i Botërorit 2030.