Kina po e përdor energjinë diellore në një mënyrë të re. Në provincën Gansu është ndërtuar impianti i ri termik diellor me dy kulla, i pari i këtij lloji në botë. Rreth 30 000 pasqyra lëvizëse të kthyera në drejtim të dy kullave mëdha qendrore gjenerojnë një sasi të jashtëzakonshme energjie.

Panelet diellore që konvertojnë dritën e diellit në energji elektrike janë një pamje që e sheh në të gjithë botën. Por energjia termike diellore është pak më ndryshe.

Në vend të përdorimit të paneleve diellore, për të përdoren mijëra pasqyra. Secila prej tyre e reflekton deri në 94% të dritës që merr te zona relativisht e vogël e kullave, shpjegon Interesting Engineering. Kjo prodhon një sasi të jashtëzakonshme nxehtësie, që mund të përdoret edhe për shkrirje.

Ashtu si termocentralet me qymyr dhe ato bërthamore, termocentrali diellor përdor nxehtësinë për ta kthyer ujin në avull. Avulli në rritje më pas vë në lëvizje turbinat, të cilat prodhojnë energji elektrike. Impianti termik diellor përmban edhe një sasi të madhe kripe të shkrirë, e cila ruan nxehtësinë ashtu si bateria ruan energjinë elektrike. Kur dielli perëndon, nxehtësia nga kripa vazhdon të prodhojë avull – që do të thotë se kjo është energjia diellore që mund të funksionojë 24/7.

Për të maksimizuar sasinë e dritës së diellit të mbledhur, pasqyrat rreth kullave lëvizin, duke ndjekur lëvizjen e diellit. Në mëngjes, shumica e pasqyrave projektojnë dritën e thithur në kullën lindore; pasdite, disa kalojnë në kullën perëndimore. Ky parim mund të shërbejë për të maksimizuar energjinë e fituar, përmes shtimit të kullave në pozicione të tjera.

Kullat Guazhou do të jenë pjesë e një kompleksi të disa impianteve të energjisë së pastër. Së bashku, ato pritet të prodhojnë 1.8 miliardë kilovat-orë energji elektrike çdo vit. Këto metoda të gjenerimit të energjisë nuk janë vetëm efikase dhe të përballueshme; ata gjithashtu shmangin ndotjen e ajrit me kimikate toksike dhe që bllokojnë nxehtësinë. Kompleksi do të parandalojë rreth 1.7 milion ton ndotje me karbon. Kjo do t’i shërbejë objektivit të qeverisë kineze për të ndërtuar 1200 gigavat kapacitet energjie më pak ndotëse deri në vitin 2030.