Së shpejti trupa e artistëve kinezë me aftësi të kufizuara koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit
· Enigma / Pse Pekini sjell një ujgure në vendin, ku janë strehuar 5 bashkatdhetarë të saj, kundërshtarë të regjimit komunist dhe të akuzuar nga SHBA si terroristë
PEKIN, 24 nëntor 2013 – Një ujgure që do të këndojë shqip në Tiranën, ku strehohen edhe pesë kundërshtarë të regjimit komunist, kështu Pekini luan me diplomacinë kulturore. Njëra nga solistet e trupës së artistëve kinezë me aftësi të kufizuara (në foto) është dhe Zumulaiti (në foto) nga Rajoni Autonom i Singjian Ujgurit. Në koncertet e trupës ajo ka interpretuar këngën “Kodi i jetës”. Vargjet e këngës janë një mesazh që kjo shtresë e shoqërisë përcjell te të gjithë. Të duam jetën, ta vlerësojmë çdo çast të saj. Një surprizë të veçantë do t’u bëjë këngëtarja Zumulaiti spektatorëve shqiptarë të koncertit, pasi në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (TOB) në Tiranë ajo do të këndojë “Valsin e lumturisë”, një nga perlat e muzikës shqiptare e interpretuar nga Artistja e Popullit Vaçe Zela, njofton Radioja e Jashtme e Kinës. Fjalët e këngës, Zumulaiti i mësoi me ndihmën e ekipit të gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. Me shumë emocion ajo pret udhëtimin drejt Shqipërisë dhe koncertin për publikun kryeqytetas, thotë kjo medie zyrtare.
Misteri
Gjithsesi, lajmi i dhënë nga Radioja e Jashtme e Kinës intrigon me faktin se interpretuesja e “Valsit të lumturisë” të Artistit të Popullit Avni Mula është ujgure dhe vjen në Tiranë, ku janë strehuar 5 ujgurë (në foto) të liruar nga kampi i Guantanamos në vitin 2006. SHBA-ja u detyrua t’i heqë nga lista e terroristëve, por nuk pranoi t’ia dorëzonte Kinës, që i konsideron kundërshtarë të regjimit. Ngjarja shkaktoi tensione midis Kinës dhe Shqipërisë. Nuk dihet nëse zgjedhja e këngëtares nga Rajoni Autonom i Singjian Ujgurit është koincidencë ato kemi të bëjmë me një politikë më pragmatiste të Pekinit. Dhe shtrohet pyetja: a do të ftohen azilantët ujgurë të ndjekin koncertin në TOB?
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





