Analizë mbi njoftimet për shtyp të shtetit më të madh të botës dhe atij më të vogël të Evropës, kështu përtacia shqiptare “infekton” dhe gazetarët e Radio Pekinit në Tiranë, kurse redaksia e Moskës, po e Radio Pekinit, jep më shumë hollësi për dëgjuesit rusë rreth bisedimeve Li Keqiang-Edi Rama në Bukuresht
DURRËS, 27 nëntor 2013 – Kinezët kanë dëshirë të rimëkëmbin hekurudhat dhe portet shqiptare, ka bërë të ditur agjencia zyrtare e lajmeve HSINHUA, duke iu referuar takimit ndër-kryeministror Li Keqiang-Edi Rama (shif foton kryesore, kryeministri kinez me dorën e ngritur në drejtim të Ramës). Sikurse është bërë e ditur, Kryeministri shqiptar Edi Rama mori pjesë më 27 nëntor 2013 në takimin e krerëve të qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore (EQJ) dhe Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang që u zhvillua në Bukuresht. Në Bukuresht ishin të pranishëm edhe shefat e ekzekutivëve të Rumanisë, Bullgarisë, Kroacisë, Çekisë, Estonisë, Hungarisë, Lituanisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Polonisë, Serbisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Përveç fjalës që mbajti në takimin e Bukureshtit, kryeministri shqiptar Edi Rama pati një bisedë me homologun kinez Li Keqiang.
Bukureshti midis viteve 2013 dhe 1960
Duke bërë një kërkim për hollësi rreth takimit midis dy shefave të qeverive, del se agjencia zyrtare kineze e lajmeve HSINHUA (shih faksimilen e faqes së HSINHUA-s në anglisht, pjesa e mbuluar me blu) i ka kushtuar një vend më të gjerë kësaj ngjarjeje protokollare sesa vetë qeveria shqiptare! Së dyti, redaksia e lajmeve në gjuhën shqipe e Radios së Jashtme të Kinës i referohej njoftimit të qeverisë shqiptare me pak rreshta (shih faksimilet e faqeve të qeverisë shqiptare dhe të Radios së Jashtme të Kinës në gjuhën shqipe), me sa duket, “e infektuar” nga përtacia e gazetarëve shqiptarë, dhe jo lajmit të agjencisë së tyre të lajmeve HSINHUA. Dhe, si për t’i vënë kapak, redaksia në gjuhën ruse, po e Radios së Jashtme të Kinës, kishte përkthyer lajmin e plotë të HSINHUA-s për Bukureshtin 2013 (shih faksimilen e faqes së Radios së Jashtme të Kinës në gjuhën ruse). Nuk dihet nëse dëgjuesve rusë së Radio Pekinit u intereson informacion i detajuar për bisedën e kryeministri kinez me atë shqiptar. Mund të spekulohet se Pekini dëshiron t’i japë mesazh Kremlinit se Ballkani nuk është vetëm sferë ndikimit rus. Ka mundësi që Kina e sotme synon të rikapitullojë sherrin e vjetër sovjeto-kinez të Bukureshtit në vitin 1960, kur Shqipëria i la “pendët” Bashkimit Sovjetik dhe u lidh më Kinën e Maos (HSINHUA-ja thotë: ‘Li Keqiang nënvizoi miqësinë tradicionale të thellë mes dy vendeve’).
Ballafaqim 1
Gjithsesi, duke lënë mënjanë hamendjet, çfarë bën përshtypje në këtë ballafaqim tekstesh. Sipsas zëdhënësit të Tiranës zyrtare “Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës uroi zotin Rama për fitoren e zgjedhjeve dhe drejtimin e suksesshëm të Qeverisë”. HSINHUA-ja nuk e thotë këtë deklaratë. Kurse me një frazë shkurt Sajti i qeverisë shqiptare thotë kaq: “Zoti Li Keqiang vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve dhe theksoi nevojën për nxitjen e tyre në fushën e tregtisë dhe industrisë”. Kurse Pekini zyrtar citon: “Në takimin e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama të mërkurën [27 nëntor 2013] në mëngjes, Li Keqiang nënvizoi miqësinë tradicionale të thellë mes dy vendeve dhe bëri thirrje për bashkëpunim të mëtejshëm të bazuar në miqësi të tillë në mënyrë që të kontribuojë më mirë për zhvillimin e dy vendeve. Ai tha se Kina është e gatshme të forcojë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat që kanë të bëjnë infrastrukturën e transportit, bujqësisë dhe resurseve gjeologjike, dhe inkurajon kompanitë e saj të marrin pjesë në rikonstruksionin e rrjetit hekurudhor të Shqipërisë, si dhe në ndërtimin e rrugëve, centraleve elektrike dhe porteve të këtij vendi”. Shihet që zëdhënësi i Ramës harron atë pjesë të deklaratës kineze për problemet ekonomike: “infrastrukturën e transportit, bujqësisë dhe resurseve gjeologjike, dhe inkurajon kompanitë e saj të marrin pjesë në rikonstruksionin e rrjetit hekurudhor të Shqipërisë, si dhe në ndërtimin e rrugëve, centraleve elektrike dhe porteve të këtij vendi”.
Ballafaqim 2
Ballafaqimi i dytë ka të bëjë me deklarimet e Ramës. Sipas zëdhënësit të tij, “Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kinës, si edhe prioritetin që Qeveria shqiptare u ka dhënë projekteve rajonale në fushën e transportit, infrastrukturës dhe energjisë. Kryeministri Rama e njohu homologun kinez me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si edhe me disa nga projektet kryesore në fushat e lartpërmendura”. Kurse HSINHUA-ja thotë: “E. Rama nga ana e tij, vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina kanë farkëtuar një miqësi të qëndrueshme dhe kanë hedhur themelet për bashkëpunim. Ai tha se Shqipëria është dakord me propozimet e Kinës për bashkëpunim, dhe se vendi është i gatshëm të bashkojë potencialin e saj me Kinën, të shfrytëzojë avantazhet e saj gjeologjike, dhe të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si ndërtimi i rrugëve, hekurudhave dhe porteve, si dhe si energjetikë, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin EJQ-Kinë”. Pa u hyrë në thellësi nuancave, mesa duket, Shqipëria, vendi më i vogël në Evropë, i ka marrë me njëfarë ngeje marrëdhëniet me Kinën, ndryshe nga shteti më i madh në botë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





