Udhëheqësit e huaj nga e gjithë bota tashmë kanë filluar të kërkojnë vëmendjen e Joe Biden, me shpresën për përmirësim të marrëdhënieve që nuk kanë qenë siç duhet në kohën e Donald Trump.
Marrëdhënia që është përkeqësuar më shumë gjatë mandatit të Trump në detyrë, është ajo SHBA-Kinë. Gjatë katër viteve të fundit, të dy palët kanë goditur tjetrën me tarifa tregtare, kanë kufizuar hyrjen për kompanitë e teknologjisë, gazetarët dhe diplomatët, konsullatat e të tjera.
Por sa kohë Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara po përballet me një tranzicion, politika e jashtme mund të jetë gjëja e fundit në mendjen e tij.
Sipas CNN, analistët në të dy vendet, ende po debatojnë nëse Biden do të përqafojë politikat ndëshkuese të Trump ndaj Kinës apo do të lëvizë për të rivendosur marrëdhënie të reja midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Edhe në mediat shtetërore kineze, ka shenja se Partia Komuniste në pushtet po pret e pasigurt se cilin drejtim do të marrë administrata e re.
Në tabloidin shtetëror kinez, Global Times në një editorial të publikuar dje, thuhej: “Kina nuk duhet të ketë asnjë iluzion se zgjedhja e Biden do të lehtësojë ose do të sjellë një përmbysje në marrëdhëniet e tanishme Kinë-SHBA dhe as nuk duhet të besojë në përmirësimin e lidhjeve dy palëshe. Konkurrenca e SHBA me Kinën dhe qëndrimi kundër Kinës vetëm sa do të intensifikohet”.
Deri më tani, asnjë deklaratë zyrtare e politikës mbi Kinën nuk është lëshuar nga ekipi i Biden. Sidoqoftë, Biden nuk është një fillestar i politikës së jashtme. Gjatë pothuajse pesë dekadave të tij në politikën kombëtare, ai ka dalë vazhdimisht kundër Kinës.
Analistët tani po hetojnë prapa deklaratave të kaluara dhe komenteve më të fundit të bëra në fushatë, për të parë se si Biden do t’i qaset Kinës e cila mund të jetë sfida e tij më e vështirë në politikën e jashtme.