Kompania kineze Zeekr ka prezantuar modelin e ri 9X në Panairin e Automjeteve në Shangai, duke sfiduar markat tradicionale të luksit si Audi, BMW dhe Mercedes me një SUV luksoz dhe një çmim shumë më të përballueshëm.

Zeekr 9X është krahasuar edhe me Rolls-Royce Cullinan për shkak të dizajnit të ngjashëm, por vjen me një çmim fillestar rreth 50 mijë paund, shumë më i lirë krahasuar me mbi 300 mijë paund të Cullinan.

Modeli 9X është i pajisur me motor hibrid që premton mbi 300 kilometra autonomi vetëm me energji elektrike dhe shpejtësi 0-100 km/h për vetëm tre sekonda, duke iu afruar performancës së supermakinave.

Zeekr, pjesë e konglomeratit Geely (pronar i Polestar, Volvo dhe Lotus), ka angazhuar ish-drejtorin e dizajnit të Bentley, Stefan Sielaff, për projektimin e 9X.

SUV-i i ri ofron hapësirë për gjashtë ose shtatë pasagjerë dhe ekziston edhe një opsion me katër ulëse për ata që kërkojnë luks maksimal. Automjeti mund të karikohet plotësisht për vetëm 9 minuta dhe, falë sistemit “Super Electric Hybrid”, arrin një autonomi totale deri në 1,500 kilometra.