KINE, 5 prill 2013– Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se një grip i ri pulash në Kinë ka shkaktuar vdekjen e 5 personave.

Deri tani, analizat në laborator kanë konfirmuar 11 raste me virusin H7N9, një formë gripi i ri që nuk është verifikuar më parë tek njerëzit.

Gjithsesi, OBSH-ja bën të ditur se ky virus nuk është ngjitës mes njerëzve. Testimet kanë dalë në përfundimin se mund të trajtohet me Tamiflu dhe Relenza.

Qeveria kineze ka ngritur një task-force për të zbuluar burimin e virusit. Gjithashtu, janë këshilluar njerëzit të bëjnë kujdes me higjienën personale dhe të shmangin kontaktet me kafshët e sëmura apo të ngordhura.