Kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako i ka kthyer sot vizitën homologut të tij të Shantout në Kinë, ku është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy qyteteve, bashkëpunim ky që padyshim ka ndikim shumë më të gjërë se sa vetëm në Durrës dhe Shantou. China Radio International raporton se kryebashkiaku Dako ka theksuar domosdoshmërinë e shkëmbimeve të drejtpërdrejta tregtare mes portit të Shantout dhe portit të Durrësit.

“Fluksi i tregtisë ndërmjet dy qyteteve tona nuk është i lartë dhe sot ai kryhet nëpërmjet porteve tranzite dhe, në Evropë, nëpërmjet portit të Pireut, – ka thënë kryebashkiaku Dako. – Mendojmë që fluksi duhet të jetë i drejtpërdrejtë mes Shantout dhe Durrësit, pa ndërmjetësinë e porteve të tjera. Terminali i Shantout dhe ai i Durrësit takohen dhe mendoj se ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur infrastrukturën dhe kapacitetet e dy porteve tona.”

Kryetari i Bashkisë së Durrësit është pritur në takim nga kryetari i Bashkisë së Shantout, Zheng Renhao, me të cilin ai ka biseduar për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy qyteteve, marrëdhënie këto që pritet të nxisin investimet kineze në Durrës dhe në gjithë vendin.

Në fakt, në gusht të vitit të kaluar kryebashkiaku i Shantout kreu një vizitë në Durrës, gjatë së cilës u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi.

Në vijim dhe thellim të bashkëpunimit, në sajë edhe të memorandumit të nënshkruar, kryebashkiaku Dako ka informuar homologun e tij të Shantout se qeveria shqiptare ka hapur garën për ndërtimin e zonave industrial, ku janë të ftuar të marrin pjesë të investitorë nga e gjithë bota, përfshirë dhe investitorë nga Kina.

Shantou është një nga pesë zonat speciale ekonomike të Kinës, një qytet port i rëndësishëm me një popullsi prej 5,5 milion banorë. Shantou është një nga qendrat më të mëdha të prodhimit të veshmbathjeve, një bazë e rëndësishme për prodhimin e lojrave, kozmetikës, prodhimeve artizanale, makinerive paketuese, etj. Pikërisht për këtë arsye, shndërrimi i Durrësit si një portë hyrëse e mallrave kineze në Ballkan dhe Evropë ofron potenciale të mëdha zhvillimi për vendin.

Në fakt, gjatë vizitës së tij në Shantou, kryebashkiaku durrsak Dako ka vizituar mjaft prej qendrave ekonomike të rajonit atje.

N. H.