Një grup vullnetarësh në Kinë kanë ndërmarrë një nismë për personat që kanë humbur shikimin. Ata u përshkruajnë me fjalë atë që ndodh në filma, në mënyrë që edhe personat e verbër të ndjejnë emocionet e artit të kinemasë.

“Pasi dëgjova një film për herë të parë në 2014, ndjeva se një botë e re ishte hapur për mua”, është shprehur Zhan Xinsheng , i cili humbi shikimin në fillim të të njëzetave.

Dhjetëra të verbër, adhurues të filmave vijnë në shfaqjet e fundjavës të organizuara nga Teatri “Xin Mu”, aty ku një grup i vogël vullnetarësh u rrëfejnë me fjalë atë që nuk mund ta shohin me sytë e tyre.

Një narrator përshkruan atë që po ndodh në ekran, përfshirë shprehjet e fytyrës, gjestet, skenën dhe kostumet.

“Bora po bie mbi Londër, një qytet në Angli. Është pak si Pekini, por ndërtesat nuk janë aq të larta,” shpjegon narratori Wang Weili.

Wang u frymëzua për të prezantuar filma për audiencën e verbër pasi i tregoi një shoku “Terminator”. Më pas mori me qira një ambient të improvizuar si Kinema, e cili ishte gjithmonë e mbushur me njerëz.

Grupi ka shfaqur gati një mijë filma gjatë 15 viteve të fundit,  duke u krijuar mundësinë personave të verbër të ndjejnë emocionet e artit të kinemasë.