Në mesin e muajit prill të gjithë dashamirësit e kinemasë, e në veçanti të asaj italiane, do të mund të ndjekin prodhimet më të fundit kinematografike të prodhuara në fqinjin tonë përtej Adriatikut. Inisiatiava e Intitutit Italian të Kulturës është mbështetur nga pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, që do të jetë mikpritësi i këtij aktiviteti.
Për mëse 3 muaj, çdo të mërkurë do të shfaqet në sallën e madhe të teatrit një prodhim i viteve të fundit i kinemasë italiane. Promovimi i kulturës dhe i kinematografisë italiane është qëllimi kryesor i kësaj nisme, që me shumë gjasa pritet të sjellë në Shqipëri edhe figura e personalitete të njohura të botës së filmit në vendin fqinjë.
Ndërsa është përzgjedhur dita e mërkurë për shfaqjen e filmave të programuar, ende mbetet për t’u saktësuar data e nisjes së këtij aktiviteti kulturor. Gjithsesi, drejtori i pallatit të kulturës, Bashkim Hoxha, thotë se në mes të muajit prill artdashësit durrsakë do të kenë rast të ndjekin prodhimet më të mira të kinematografisë bashkëkohore italiane.
Shumë prej aktorëve më të mirë të vendit fqinjë janë të njohur në Shqipëri dhe në Durrës, pasi kinemaja italiane dhe prodhimet e saj kanë qenë gjithnjë mjaft të ndjekura në qytetin bregdetar. Krahas Durrësit, kinemaja italiane do të promovohet çdo ditë të martë në kinema “Marubi” në Tiranë.
Përzgjedhja e qytetit të Durrësit nga ana e Institutit Italian të Kulturës si mikpritës për këtë promovim të kinematografisë bashkohore të vendit fqinjë ka ardhur si rezultat i jehonës që ka përcjellë në vendet e rajonit organizimi për disa vite rresht i një festivali të rëndësishëm ndërkombëtar të filmit. Pjesëmarrja e regjizorit të famshëm Francis Ford Coppola apo yllit të dikurshëm Claudia Cardinale duket se i ka bindur organizatorët e këtij evenimenti për t’i promovuar në qytetin bregdetar prodhimet më të rëndësishme me metrazh të gjatë.
Për mëse 3 muaj, çdo të mërkurë do të shfaqet në sallën e madhe të teatrit “Aleksandër Moisiu” një prodhim i viteve të fundit i kinemasë italiane. Promovimi i kulturës dhe i kinematografisë italiane është qëllimi kryesor i kësaj nisme, që me shumë gjasa pritet të sjellë në Shqipëri edhe figura e personalitete të njohura të botës së filmit në vendin fqinjë
Në të njëjtën kohë, lidhja e hershme e durrsakëve me gjuhën dhe kulturën italiane në përgjithësi është një tjetër arsye se përse u zgjodh qyteti ynë për këtë ngjarje artistike. Shfaqja e filmave të kinemasë bashkohore të vendit fqinjë do të mbushë një boshllëk të vjetër në jetën kulturore të qytetit të Durrësit, siç është mungesa e kinemasë.
Megjithëse filmat do të vazhdojnë të projektohen në sallën e teatrit, aspak e përshtatshme për një aktivitet të tillë, shfaqja e tyre do të jetë një ogur i mirë dhe ndoshta një kujtesë për drejtuesit vendorë për të ndërmarrë nismën për hapjen e një salle të mirëfilltë kinemaje, apo për të mbështetur bizneset private që shfaqin interes në këtë fushë.
Pas mbylljes së kinemave shtetërore ne fillim të viteve ’90 dhe falimentimit të kinemasë private “Colosseum”, jetëgjatësia e së cilës zgjati vetëm disa muaj, në Durrës nuk është ndërmarrë më asnjë inisiativë e ngjashme për të ngritur një sallë kinemaje. Ndërsa në vitet para dhe gjatë pushtimit Italian (vitet 1937-1943) qyteti ynë numëronte gjashtë kinema, sot, në shekullin XXI, në vitin 2012 qyteti mijëravjeçar vazhdon të vuajë mungesën e këtij institucioni të rëndësishëm kulture.