Është ndarë nga jeta sot më 25 shkurt aktori i mirënjohur korçar Zhani Ziçishti, një nga figurat më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.

Lajmi është bërë publik nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, e cila në një njoftim zyrtar shpreh dhimbjen për humbjen e artistit që i dha teatrit dhe filmit shqiptar vite të tëra përkushtimi, pasioni dhe profesionalizmi. Ziçishti do të mbetet në kujtesën e artdashësve për kontributin e tij të çmuar në artin interpretativ dhe për rolet që shënuan një epokë të teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Homazhet në nder të tij do të zhvillohen më 26 shkurt, nga ora 09:30 deri në 10:30, në hollin e teatrit në Korçë.

Komuniteti artistik, miqtë dhe familjarët i japin lamtumirën e fundit një aktori që për dekada ishte pjesë e identitetit kulturor të qytetit dhe më gjerë.

Zhani Petro (Ziçishti) ka lindur në 31 maj të vitit 1940 në qytetin e Korçës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) fillon punën si aktor pranë Teatrit “A.Z. Çajupi” të Korçës. Me trupën e këtij teatri do të interpretojë një sërë rolesh duke u bërë i njohur për publikun artdashës. Roli i parë i aktorit në kinematografi do të jetë ai i mësues Agronit në filmin “Lumë drite” në vitin 1970. Zhani Petro (Ziçishti) do të interpretojë në 16 role në filma artistikë.

Filmografia

Kronikë e një nate (1990) , fotografi

Rikonstruksioni (Film TV) (1988) , Koli

Përsëri pranverë (1987) , Kryeagronomi

Dhe vjen një ditë (1986) , Gjini

Tre ditë nga një jetë – (1986) , oficeri gjerman

Një jetë më shumë (1986) , avokati

Asgjë nuk harrohet (1985) , xha Kozi mesuesi ne pension

Agimet e stinës së madhe (Film TV) (1981) , avokati Hamdi Caka

Kur xhirohej një film (1981) , Bashkimi

Dëshmorët e monumenteve (1980) , Kristofori

Mysafiri (1979) , Sadik Bezhora

Nga mesi i errësirës (1978) , Jani

Vajzat me kordele të kuqe (1978) , Resuli

Flamur në dallgë (1977) , Gregori Graf

Fije që priten (1976) , Genci

Perballimi (1976) , Kopi

Beni ecën vetë (1975) , Babai i Benit

Lumë drite (1975) , Mesues Agroni

Monumenti – 1977 – Spiuni i Gestapos