Doktori Arjan Mullahi punon si shef i shërbimit të kirurgjisë në Spitalin e Shën Jozefit, Linnich, Gjermani. Para disa ditësh ai ka ardhur ne qytetin e Durrësit, pranë miqve të familjes së tij. Mullahi është një personazh i veçantë, i vlerësuar edhe nga shtypi ndërkombëtar për arritjet e tij, siç është realizimi i transplantit të kockës.
“Kemi dëgjuar për transplantin e organeve të brendshme, por jo për transplant kockash”.
Kështu shkruanin gazetat gjermane para tre vitesh, kur doktori me origjinë shqiptare, Arjan Mullahi, kreu për herë të parë këtë ndërhyrje në Spitalin e Shën Jozefit, në Gjermani. Ndërhyrja parashikon një metodë që nuk është shumë e zakonshme dhe që mbështetet në eshtrat e një personi të vdekur. E inicuar nga mjekë të shquar gjerman dhe e perfeksionuar me pas edhe nga Mullahi.
Pacientët e trajtuar me këtë metodë të rrallë tashmë janë riaftësuar dhe shprehin mirënjohje për mjekun “magjik”.
Jeta e Mullahit është si e shumë shkencëtarëve që janë arsimuar Shqipëri dhe më pas marrin rrugët për t’u afirmuar në perëndim, me përkushtimin në punë dhe me talentin që zotërojnë në përdorimin e metodave të reja shkencore të vlerësuara. Gazetat gjermane i kanë bërë jehonë ndërhyrjeve të tij, duke e quajtur doktor Arjan Mullahin si “Zoti i veshur me të bardha”.
K.H.





