Çifti i moshuar Gëzim dhe Mynyre Tafaruçi, apartamenti i të cilëve u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm janë jashtë rrezikut për jetën.
Lajmi konfirmohet për gazetaren e DurrësLajm nga stafi i urgjencës së spitalit, që ka ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të dy të moshuarve.
Po sipas mjekëve, nesër, ata do të dërgohen në banesën e tyre, pasi nuk paraqesin më asnjë shqetësim për jetën.
Nga komunikimi që gazetarja e DurrësLajm ka pasur me dy të moshuarit, Gëzimi dhe Mynyrja i kanë konfirmuar se ndihen mirë dhe mezi po presin të kthehen në shtëpi.
“Kisha frikë për plakun, por shyqyr e kaluam këtë moment të vështirë”,- tha 72-vjeçarja.
Pranë tyre ndodhet mbesa, e cila ka qëndruar me ta që nga momenti, kur u mësua ngjarja e rëndë.
Stafi i urgjencës së spitalit të Durrësit konfirmon gjithashtu se zjarrfikësi që mbeti i asfiksuar gjatë operacionit për nxjerrjen jashtë apartamentit të çiftit të bashkëshortëve ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe është shoqëruar në banesë, pasi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm.
Në një video që publikoi DurrësLajm, orë më parë, shiheshin çifti i moshuar dhe zjarrfikësi që merrnin ndihmën e parë në rrugë, për shkak të gjendjes së rënduar si pasojë e tymit që kishin thithur.
Rreth orës 11.15 të ditës së shtunë, një apartament në lagjen nr.17 të Durrësit u përfshi nga flakët, të cilat vunë në rrezik jetën e Gëzim dhe Myryre Tafaruçit dhe njërit prej zjarrfikësve që u erdhi në ndihmë.
K.H.





