TIRANË- Kisha Ortodokse pretendon se ka arritur në 10 mijë numri i ortodoksëve që i janë përgjigjur thirrjes së saj për regjistrimin e tyre. Edhe pse dje ishte ditë Krishtlindjes Kisha Ortodokse ka shpërndarë fletë anketa për besimtarët duke i detyruar të plotësonin pyetjet për fenë brenda ambienteve të Kishës. Pamjet e News24 tregojnë se si besimtarët brenda në ambientet e Kishës në një tavoline të rrumbullaket plotësojnë anketën për cencusin.
Madje fleta u jepej besimtarëve që në hyrje të Kishës nga persona të autorizuar prej saj. Në anketë kërkohej emri, mbiemri, numri i telefonit, adresa e personit. Ajo përmbante gjithashtu dy pyetje. Në të parën besimtarëve u kërkohet të përgjigjen me po ose jo nëse janë pyetur nga regjistruesit e censusit.
Ndërkohë që në pyetjen e dytë të anketuarit duhet të përgjigjen nëse janë pyetur për besimin fetar. Në fund çdo person duhet të hedhë firmën. Duket se Kisha ka zgjedhur këtë mënyrë regjistrimi për të dëshmuar numrin real të ortodoksëve, pas kundërshtimit të rezultateve të censusit të popullsisë, bërë publik nga qeveria shqiptare që dha shifrën 6.7% të ortodoksëve në vendin tonë.





