Hakan Çalhanoglu u rikthye protago nist duke gjetur rrugën e rrjetës nga pika e bardhë e penalltisë. Mesfushori turk ishte i saktë edhe një herë tjetër duke i hapur rrugën e përmbysjes kësaj sfide, që nisi si një malore me golin e pësuar. Turku thotë se ndjeu për herë të parë presion, por foli gjithashtu edhe për shanset që ka skuadra të dalë kampion në derbi kundër Milanit.

Si mund të jeni kaq i akullt në goditjet e penalltive?

Për herë të parë ndjeva pak presion. Ishim duke e humbur ndeshjen dhe nëse do të gaboja, ndoshta nuk e fitonim dot. Isha shumë i përqendruar dhe doja patjetër që të shënoja. Okoje është shumë i gjatë dhe vendosa të godas tokazi dhe fort sepse për portierët, topat e goditur në këtë mënyrë janë shumë të vështirë. Flas shpesh edhe me portierin Zomer për këtë fakt.

Mos ndoshta donte të godiste Lautaro?

Jo. Ai mori topin për t’i përcjellë qetësi skuadrës. Nëse donte të godiste nuk do të thosha asgjë sepse ai është kapiteni. Po bën gjërat e duhura në fushë dhe jashtë saj. Po na ndihmon shumë dhe jemi të lumtur që luajmë me një lojtar të tillë. Këtë herë festuat më shumë se kurrë.

Mos ndoshta po e ndieni që titulli kampion është më afër?

Sigurisht që kur objektivat afrohen, vëmendja është më e madhe. Jemi nervozë sepse duam patjetër të fitojmë. Pamë që Udineze kërkoi gjithmonë kundërsulmin. Goli i tyre nisi nga një pasim i imi i gabuar për Dumfris sepse doja të vertikalizoja lojën. Në pjesën e dytë u futëm me më shumë grintë dhe me uri për të fituar. Nuk gabuam asgjë.

Sot treguat shumë dëshirë për të fituar. Besoni se në këtë sezon do të thyeni edhe rekorde të tjera?

Ne kemi uri dhe dëshirë për të fituar dhe nuk dorëzohemi kurrë. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Jemi duke kërkuar të japim maksimumin nga dita në ditë. Interi nuk është dorëzuar kurrë në asnjë ndeshje dhe kjo është e rëndësishme për vazhdimësinë. Duam patjetër që të arrijmë sa më shpejt objektivin që kemi në mendje.

Çfarë nuk po bënit dotmirë në pjesën e parë?

Kam gabuar vetëm një pasim dhe Udineze shënoi gol. Kam bërë 2-3 goditje në drejtim të portës kundërshtare dhe kërkova të luaja më shumë në sulm. Kam bërë një gabim dhe duhet të jem më i qetë. Kam në mendje objektivin që dua ta arrij sa më shpejt. Në pjesën e dytë shënova me penallti dhe jam i lumtur.

A do të ishte më bukur që ta fitonit titullin në derbi?

Nuk më pëlqen të flas për ish-skuadrat e mia. Kam një raport pozitiv me ish-shokët e mi. Ajo që ka ndodhur i përket së shkuarës. Unë nuk kam folur kurrë, por kam vuajtur shumë. Jam i përqendruar në skuadrën aktuale dhe me shokët që janë të shkëlqyer. Dua t’i falënderoj edhe tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë. Në futboll njëri fiton, tjetri jo. Jam i lumtur sepse e merituam. Ju betohem që nuk mendoj aspak për derbin. Unë flas shpesh me Maldinin dhe i dua të mirën Milanit. Dua thjesht ta fitoj këtë titull sepse është i pari për mua dhe Interi do të vendosë yllin e dytë në fanellë. Nuk dua t’i hedh benzinë zjarrit, por të qëndroj pa folur. Kam vuajtur shumë gjatë kësaj kohe, por askush nuk e di.

Si po ndiheni në këtë rol të ri?

Kur ishte Brozoviç nuk e mendoja veten gati për të bërë këtë rol. Ai ishte shumë i rëndësishëm për ne. Kur u dëmtua, trajneri më kërkoi nëse mund ta bëja unë. Kemi analizuar shumë video dhe kemi punuar shumë në stërvitje. Mendoj se inteligjenca që kanë lojtarët i ndihmon. Më pëlqen ky rol dhe jam shumë i lumtur.

Duket sikur tani vraponi më shumë?

Janë gjëra të ndryshme, por edhe të ngjashme. Tani mendoj si organizator. Duhet të punoj mirë në të dyja fazat dhe jam i kënaqur që gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur.